Selimi: S’ka pasur ShIK gjatë 1998-s, u krijua më 1999

12 shkurt 2025 | 16:00

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se nuk ka pasur Shërbim Informativ të Kosovës (ShIK) gjatë 1998-ës dhe se kjo strukturë është krijuar më 1999, ndonëse Sabit Geci dhe një person tjetër është thirrur me këtë emërtim.

Fillimisht, dëshmitarit i është prezantuar një deklaratë që e ka dhënë të martën, ku kishte thënë se Rasim Kiçina nuk ka qenë pjesë e grupit të Sabit Gecit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për Gecin dhe një person tjetër të cilit avokati i është referuar me “Personi 1”, dëshmitari ka pohuar se ka deklaruar për ZPS-në se këta dy persona kanë thënë që veprojnë në emër të ShIK-ut.

Selimi kishte thënë që kjo doli të ishte e pavërtetë ndonëse ata thonin që veprojnë në emër të Kadri Veselit.

Këtë gjë e ka pohuar edhe të mërkurën në sallën e gjyqit Selimi, duke shtuar se në atë kohë nuk e njihte as Veselin dhe se në ZO të Drenicës nuk kishte një strukturë të tillë.

“Me Veselin nuk kisha kontakte, por nuk kishte një shërbim të tillë. Nuk ishte në ZO të Drenicës dhe as nuk kisha dëgjuar në atë kohë”, ka thënë Selimi.

Ndërsa për Gecin dhe personin tjetër, Selimi ka thënë se ka dyshuar në ata dhe se ata janë thirrur me emërtime të ndryshme.

Dëshmitari pohoi se ky grup s’ka pasur rol të tillë dhe iu ka thënë të mos pretendojnë që janë nga ajo strukturë.

“Nuk kanë vepruar më dhe nuk janë thirr me atë emër”, ka thënë Selimi.

Selimi tha gjatë dëshmisë se tij se me nofkën Luli e ka njohur Veselin, por që ka pasur mundësi që edhe persona të tjerë ta kenë këtë nofkë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Arsenalit, Kai Havertz, do të humbasë pjesën tjetër…