Selimi: Tri klubet kanë mundësi pothuajse të njëjta për titull
Trajneri i njohur në futbollin e Kosovës, Musa Selimi, ka thënë se tri skuadrat e para në tabelë, Drita, Gjilani dhe Ballkani, i kanë mundësitë pothuajse të njëjta për titull.
Gara për titull të kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll është bërë edhe me interesante kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar, pasi Drita e ka humbur derbin me Gjilanin dhe dallimi në mes tri skuadrave të para është vetëm dy pikë.
Trajneri dhe njohësi i mirë i futbollit, Musa Selimi, ka thënë se gara për titull në elitën e futbollit të Kosovës është ende e hapur dhe gjasat për t’u shpallur kampione i kanë tri skuadrat. “Mund të them se gara për titull në Superligë ende është e hapur dhe tri skuadra kanë pothuajse mundësi të njëjta për t’u shpallur kampione, por varet edhe nga rezultatet e njëra-tjetrës. Gjilani me fitoren ndaj Dritës ka bërë një hap të madh, por ende nuk dihet se kush do ta rrëmbejë trofeun e më të mirit, sepse aty është edhe Ballkani me një skuadër mjaft cilësore dhe normalisht liderja aktuale, Drita”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.
Gjilani të shtunën e ka mposhtur skuadrën e Dritës me rezultat 2-0, kurse në derbin tjetër në mes të Ballkanit dhe Prishtinës nuk ka pasur fitues dhe ndeshja ka përfunduar 2-2. Edhe gara për mbijetesë është mjaftë e ashpër, pasi gara për t’u larguar nga elita po bëhet në mes të disa skuadrave. Dukagjini, Ferizaj dhe Vushtrria tashmë e kanë siguruar rënien dhe në garë për mbijetesë janë Trepça ’89, Drenica, Llapi dhe Flamurtari, por as kampioni në fuqi i Superligës, Feronikeli, nuk e ka siguruar mbijetesën.
“Në garë për rënie nga Superliga, përveç tri ekipeve që tashmë e kanë siguruar, si skuadër më të rrezikuar e shoh Trepçën ’89, por janë edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar dhe gjithçka mund të ndodhë”, ka deklaruar Selimi.
(Veton ZYMBERI)