Selimi: “Unë lirinë e kam ndier edhe në burg. Sot e ndiej se është liruar edhe burgu!”
Pasi që ish-objekti i Burgut të Prishtinës është shpallur muze nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shumë familjarë të ish të burgosurve dhe ish të burgosur kanë vizituar hapësirat e këtij objekti. Ata i kanë vizituar dhomat e qëndrimit gjatë periudhave të ndryshme.
Ndër vizitorët e shumtë ishte edhe ish i burgosuri Halil Selimi i cili në hapësirën e dedikuar për mesazhet e të dënuarve ka shkruar: “Unë Lirinë e kam ndjerë edhe në burg! Sot e ndjej se është liruar edhe burgu!”.
Ish i dënuari me shumë vite burg, Selimi edhe gjatë vuajtjes së dënimit ka vazhduar protestën dhe mosbindjen në forma të ndryshme, për ç’arsye, thuajse gjithë burgun e ka kaluar në izolim me masa të përforcuara (burg në burg, siç e quanin këtë ambient ndëshkimor brenda burgut!).
Selimi në vitin 1987, nga burgu i Pozharvcit përmes një letre ia kishte bërë me dije Sekretariatit Republikan se të burgosurit politik shqiptar janë duke u maltetuar dhe ndaj tyre janë duke u shkelur të drejtat elementare. Madje Selimi kishte shkruar se nuk po kërkon mëshirë por respekt.