Selimi: Vizita e drejtorit të CIA-s ka pasur efekt në Kosovë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, ka thënë se vizita e shefit të Agjencisë Qendrore të Intelegjencës (CIA), William Burns, në Prishtinë, në fund të javës, ka pasur efekt të menjëhershëm në politikën kosovare, posaçërisht sa i përket planeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
“Vizita e drejtorit të CIA-s duket se ka pasur efekt në Kosovë. Ai solli të njëjtin mesazh që kishte ambasadori amerikan: punoni me ne, mos përshkallëzoni. Krejt papritur, asnjë breshëri e përditshme rreth planeve për të hapur urën. Duket se problemi është pluhurosur dhe ne mund të fokusohemi në gjëra të tjera”, ka shkruar pasdite ish-shefi i diplomacisë kosovare.
Shefi i CIA-s e përmbylli “turneun ballkanik” me një vizitë dyditore në Kosovë – vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar amerikan prej kohësh – në kuadër të së cilës takoi krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare. Pak detaje u dhanë rreth asaj që Burns diskutoi në Prishtinë.