Selimi viziton Burgun e Sigurisë së Lartë për Bajram: Të burgosurit duhet t’i trajtojmë me dinjitet
Ditën e Kurban Bajramit, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi zgjodhi që të vizitojë të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës.
Ai në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sadri Bajgora dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës , Nehat Thaçi.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se të gjithë të burgosurit që janë duke kryer borxhin që kanë ndaj shoqërisë për veprat penale që kanë kryer duhet të trajtohen me dinjitet.
Ai tha se gjatë këtyre takimeve me tri grupe të të burgosurve dëgjoi të gjitha kërkesat e tyre.
“Në këtë ditë të tregojmë që shteti i Kosovës buron autoritetin e vetë prej Kushtetutës e Kushtetuta buron dinjitetin si bazë për të gjitha të drejtat tjera të njeriut. Ne të gjithë këtyre personave që janë duke paguar borxhin shoqërisë për veprat penale që i kanë bërë duhet t’i trajtojmë me dinjitet dhe duhet me iu dhënë mundësi që ata ta kryejnë këtë borxh ndaj shoqërisë tonë ashtu siç e ka paraparë Gjykata. Përveç dënimit që është pjesë e kryerjes së këtij borxhi duhet të kemi edhe pjesën shpirtërore apo pjesën e pendimit dhe ajo është pjesa individuale e esenciale”, tha ai.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sadri Bajgora tha se përmes kësaj vizite në këtë ditë të veçantë për besimtarët myslimanë kanë dashur të përçojnë mesazhin se në festa të gjithë janë të barabartë.
“Ishte një emocion i veçantë për të gjithë neve por megjithatë siç e tha edhe ministri kjo shoqëri ka një obligim ndaj këtyre njerëzve t’iu ofrojë kushte për një jetë të dinjitetshme edhe në burg, por gjithnjë me porosi që ata të reflektojnë për të kaluarën e tyre duke u penduar për atë që kanë bërë dhe unë shpresoj që këta njerëz pas daljes nga ky vend do jenë pjesëtarë të denjë të shoqërisë. Kjo festë është që ne na bashkon sot në vend të familjeve tona kemi përzgjedhur këtë vend që t’ua përçojmë mesazhin se në festa jemi të gjithë të barabartë”, theksoi kryeimami, raporton “KP”.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi u shpreh se vizita e sotme dëshmi se institucionet e Kosovës kanë obligim që të burgosurit t’i rehabilitojë dhe t’i bëjë të gatshëm për të ardhmen e tyre jashtë grilave.
“Ishte mesazh vërtetë i qartë, ishte një dëshmi e cila dita-ditës ne po e dëshmojmë që institucionet e Kosovës konkretisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka obligim që të gjithë të burgosurit këtu t’i rehabilitojë dhe risocializojë. Një prej hapave për risocializim dhe rehabilitim të tyre është edhe vizita e sodit”, u shpreh ai.