Selimi: Zërat nga Brukseli thonë se plani i zbatimit do të jetë ‘merre ose lëre’
Ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, ka shpërndarë edhe sot diçka prej informatave që ai ka thënë se i vinë nga Brukseli lidhur me propozimin evropian dhe ankesin e tij.
Pas kthimit nga Brukseli të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, ku ata kishin pranuar propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, palët do të punonin rreth planit të zbatimit të propozimit.
Sipas asaj që ka shkruar Selimi, palët do të japin komentet e tyre rreth aneksit të propozimit evropian, që përfshin planin e zbatimit, por ai në fund do të jetë një version i prerë nga Bashkimi Evropian.
“Zërat e fundit nga Brukseli: Të dyja palët kanë komentet e tyre, por zbatimi i ankesit, në fund të fundit, do të jetë “merre ose lëre”, për Kosovën dhe Serbinë”, ka shkruar Selimi në “Twitter”.
Më 18 mars është takimi i radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, i cili kësaj radhe është caktuar të mbahet në Ohër të Maqedonisë Veriore. Selimi, duke cituar “zërat” nga Brukseli, ka shkruar se atë ditë nuk do të ketë nënshkrim të marrëveshjes. Një ceremoni potenciale do të ndodhë në njërën prej kryeqendrave evropiane, në Bruksel ose në Paris.
“Nuk do të ketë nënshkrim në Ohër, por ka mundësi për një ceremoni të madhe në Paris ose në Bruksel. Blinken (sekretari amerikan, Antony Blinken) dhe liderët kryesorë të BE-së mund të jenë të pranishëm. Një optimizën shumë i kujdesshëm në BE”, ka shkruar Selimi.