Selman Pepshi, pelegrini i lirisë kosovare nga Juniku në Tropojë
Tani bëhen 20 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.
Ky eksod ose dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë e Malit të Zi).
Ashtu si në periudhat e tjera të historisë, Malësia e Gjakovës (Tropoja) mbetet streha më e ngrohtë për shqiptarët e Kosovës. Nga honet e historisë vjen kënga që shpreh mbajtjen, përkrahjen e mbrojtjen e këtyre vëllezërve nga tërbimi serbo-sllav:
“Aferim mori Malësi
Mirë i mbajte kët muhaxherri
12 vetë ma e vogla shpi
Ma e madhja njëzet e dy
Bukën n’dorë krypën përmbi
Sa ta kem po e hamë të dy…”
Historia u përsërit përsëri në vitet 1998-1999, shkruan “MAPO”. Jo vetëm gjaku e afërsia gjeografike, por është “zakoni e historia”. Malësia e mirë edhe në këto vite të vështira për Kosovën e kombin shqiptar u gjet si gjithmonë e pakursyer në ndihmë ndaj vëllezërve kosovarë duke çelur dyert e zemrat për ta. Janë të paharrueshme ditët e eksodit në B. Curri, para sheshit të Bashkisë shihje nëna që qanin për djemtë e vrarë e shtëpitë që e kishin lënë.
Aty shihje banorët tropojanë që kishin dalë t’i prisnin e t’i strehonin në shtëpitë e tyre. Një solidaritet i paparë mes tropojanëve e kosovarëve, lindën miqësi të reja duke mbetur të pavdekshme. Personeli i spitalit të B. Currit ishte në gatishmëri të plotë natën e ditën në shërbim të plagosurve kosovarë. Sakaq me 4 qershor 2018 në B. Curri do të përkujtohet 20-vjetori i këtij eksodi dhe si një falënderim do të zhvillohet në B. Curri.
Do të ketë mjaft nga ata që u vunë në shërbim të Luftës dhe e lidhën kontributin e tyre mes Kosovës e Tropojës duke u bërë njerëz të dashur e të vlerësuar për Kosovë e Malësi. E mjaft i emocionuar do të jetë njëri prej tyre, Selman Pepshi nga Juniku. Selman Pepshi u angazhua totalisht në Luftën e UÇK-së si gjithë shqiptarët e Kosovës e mbarë Shqiptarisë, duke kontribuar ushtarakisht e me mjete monetare në shërbim të çlirimit e bashkimit kombëtar.
Në foto: Selman Pepshi
Duke qenë se lufta përfshiu, jo vetëm Kosovën, por edhe Malësinë e Gjakovës e më gjerë, Selmani me rënien e Junikut vjen në Tropojë dhe ngarkohet me detyrën e regjistrimit nga Kryqi i Kuq dhe nga qytetarët e Malësisë së Gjakovës. Me përkushtimin e tij të madh u bë një mik i dashur për të gjithë të shpërngulurit nga Kosova, por edhe nga qytetarët e Tropojës tek të cilët gjeti ngrohtësinë vëllazërore duke ndarë dhimbjen së bashku, duke ndarë kafshatën e bukës së bashku.
Bazat ku përgatiteshin trupat e UÇK-së si në Babinë, Prifç, Tropojë e Koshare ishin disa nga zonat ku Selmani i dërgonte trupat dhe ndihmonte në pajisjen e tyre me armatim, ndihmoi edhe në gjetjen e të humburve dhe braktisurve nga lufta si dhe ndërmjetësimin dhe dhënien e informacionit nëpërmjet OSBE-së. Ishte i kudondodhur ku ishte nevoja e bashkëkombësve të tij që nga personeli mjekësor i spitalit B. Curri ku interesohej për dhënien e gjakut të plagosurve e përcjelljen për Tiranë me helikopter refugjateve me probleme të rënda shëndetësore, dhe identifikonte të vdekurit që ishin në morgun e spitalit, lidhjen me familjaret e tyre, organizimin e ceremonive të varrimit të tyre duke iu bërë nderimet që ata meritonin.
Bashkëpunoi ngushtë me TV lokal të B. Currit, me biznesin, me pushtetin lokal dhe shoqatat e organizmat e huaja që operonin në Tropojë. Duke qenë natën dhe ditën në kontakt me luftëtarët e lirisë në bazat e përgatitjes e deri në fushën e luftës, duke bashkëpunuar me oficerët drejtues të luftës së UÇK-së u bë shkëmbyes informacionesh të vlefshme nga baza në terren. Trokitja e tij në çdo derë malësore për hallet e popullsisë së shpërngulur e bëri Selmanin të njohur e të vlerësuar nga çdo shtëpi malësore, i cili me ndërhyrjen e tij burrërore i shpëtoi disa familje nga konfliktet e duke ndërhyrë edhe në pajtimin e disa gjaqeve.
Selman Pepshi dhuroi në shërbim të luftës mjete monetare për armatimin dhe shtëpia e tij u shndërrua një nga bazat më të forta të UÇK-së. Kampet e të shpërngulurve ishin jo vetëm në Tropojë por edhe në rrethe të tjera. Selmani punoi shumë për ndërlidhjen e tyre që ishin ndarë, ndaj ai u lidh dhe bashkëpunoi me ekuipazhet e trageteve “SAHILBA” e “JEZERCA” që siguronin transportin e familjarëve nga Tropoja në rrethet e tjera. Me përfundimin e luftës në Kosovë, Selmani do të jetë përsëri në shërbim të të shpërngulurve, por tani me një mision tjetër-ndihmesa për t’u rikthyer në vendin e tyre të çliruar nga zgjedha serbo-sllave.
Kontributi i tij i madh për çështjen e lirisë së Kosovës është vlerësuar e çmuar nga çdo familje kosovare e tropojane. Mjaft organe të pushtetit vendor në Tropojë e më gjerë, mjaft shoqata nga vendi e Diaspora i kanë akorduar Selman Pepshit tituj e “Mirënjohje” për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Selman Pepshi është nderuar me “MIRËNJOHJE” nga Bashkia B. Curri, Organizata e Dëshmorëve Tropojë, Organizata e Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare Tropojë, Shoqata Letrare Kulturore “Xheladin Gosturani” Tropojë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe mjaft shoqata nga Diaspora. Këshilli Bashkiak Tropojë i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” të Bashkisë Tropojë. …
E sot Selman Pepshi është një qytetar i lirë i Kosovës shqiptare, do vijë aty në Tropojë ku dha një pjesë të madhe të kontributit të tij në shërbim të lirisë së Kosovës dhe është njeriu i dashur i çdo familjeje kosovare që e ndihmoi në të gjitha mënyrat. Selmani do të jetë në Tropojë si qytetari i Nderit i respektuar nga çdo burrë, grua, fëmijë e pushtetarë.
Sepse ai që kontribuon për lirinë e kombit do qëndroje gjithmonë në altarin e artë te ndërgjegjes kombëtare. Selman Pepshit i takon medalja e artë e shqiptarizmës, të cilën e përjeton sot në Malësinë e Gjakovës pas 20 vitesh, por me një ndryshim: Se karafilat që u mbollën tani janë në lirinë shqiptare.