Selmanaj: AAK-ja nuk tërhiqet për taksën, qoftë edhe me çmimin e shkuarjes në zgjedhje
Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse kërkohet largimi i taksës ndaj mallrave serbe.
Selmanaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe pse Kosovës nuk i duhen zgjedhjet në këtë fazë, AAK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse vihet në pyetje qëndrimi i taksës.
“Ne nuk e shohim interesin në aspektin partiak dhe elektoral. Ne vendimin për mos heqjen e taksës e kemi në raport me dialogun me Serbinë. Mendoj se opozita po luan më shumë me taksën si kartë elektorale, jo kryeministri”, tha ai, përcjell “Telegrafi”.
Deputeti i AAK-së ka thënë se deri tash PDK-ja ka qenë korrekt në raport me partnerët e koalicionit.
“Edhe vendimi për taksën ka qenë vendim i përbashkët i partnerëve të koalicionit. Mbetet të shihet si do të veprojnë partnerët e koalicionit… Por mund të them se AAK-ja, çoftë edhe me çmimin e shkuarjes në zgjedhje, taksën nuk e hekë sepse është vendim i drejt dhe i ndihmon Kosovës në bisedime”, tha ndër të tjera Rasim Selmanaj.