Selmanaj: Druaj se drafti i Asociacionit nuk do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka shprehur brengen e tij se Gjykata Kushtetuese mund të mos lëshohet fare në shqyrtimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë druaj në hapat që do të ndodhin tash e tutje sepse referenca në rezolutën 12 44 dhe referenca vetëm në marrëveshjen e vitit 2013, e cila në momentin që është ratifikuar në Kuvend ka marrë statusin e një marrëveshje ndërkombëtare. druaj që mund të gjendet rrugë që eventualisht Gjykata Kushtetuese të mos lëshohet në analizën përmbajtjesorë të këtij dokumenti”, ka thënë Selmanaj.
Ai në një intervistë për “Nacionalen” ka treguar edhe arsyet se pse Kushtetuesja mund të mos e shqyrtojë fare këtë çështje.
“Kjo më pas na sjell në situata shumë të vështira sepse jurisprudenca kushtetuese që ne kemi ndërtuar në Kosovë dhe praktikisht kushtetuta që kemi, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të trajtojë substancën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra, marrëveshjet ndërkombëtarë janë mbi Kushtetutën e Kosovës dhe si e tillë Gjykata Kushtetuese nuk lëshohet në interpretim”, ka thënë Selmanaj.