Selmanaj ‘godet’ deputetët e LV-së: Turpi nuk paska fund!
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar për shkak të mosvotimit e Projektligjit për skemat pensionale nga ana e deputetëve të Vetëvendosjes.
Ai ka thënë se ky projektligj kishte për qëllim që pensionistëve t’u njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, rrjedhimisht të heq kufizimin diskriminues për 15 vitesh stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës.
“Për fatin e keq, LV-ja dhe partnerët e saj, sot nuk e votuan në Kuvend projektligjin i cili e heq kufizimin diskriminues për 15 vite stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës. Ky projektligj kishte për qëllim që të iu njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, me këtë do të iu njihet e drejta në pension kontributiv për këto vite sa ishim nën pushtimin e egër serb”, ka shkruar Selmanaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Selmanajt:
Turpi nuk paska fund!
Për fatin e keq, LV-ja dhe partnerët e saj, sot nuk e votuan në Kuvend projektligjin i cili e heq kufizimin diskriminues për 15 vite stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës.
Ky projektligj kishte për qëllim që të iu njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, me këtë do të iu njihet e drejta në pension kontributiv për këto vite sa ishim nën pushtimin e egër serb.
Për kujtesë, pas njohjes së stazhit të mësimdhënësve, aktualisht kanë mbetur edhe rreth 11 mijë pensionistë kontribut pagues që diskriminohen nga ligji që sot aplikohet në Kosovë. Mos te harrojmë që një numër i madh i tyre tashmë kanë vdekur dhe shumë prej të tjerëve janë në moshë të shtyrë dhe duke pritur fundin e këtij diskriminimi irracional.
Ky diskriminim, nxjerr konkludime absurde se si politika jonë i ka trajtuar dhe po vazhdon t’i trajtojë një numër kaq të madh të qytetarëve tonë, për shkak se kanë zgjedhur të mos punojnë nën regjimin pushtues serb.
Në vend se për shkak të këtij refuzimi ata të marrin shpërblim nga shteti i tyre, për fatin e keq tash e 20 vite kanë marrë vetëm dënim.