Selmanaj i brengosur pas deklaratës së Hovenierit për qeverinë: Vjosa Osmanit s’i dëgjohet zëri
“Aleanca e popullit të Kosovës me ShBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Ky vlerësim i Selmanajt vjen pas deklaratës se ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili të hënën ka thënë se “ka shqetësime” në ShBA me disa zgjidhje politike që ka synuar qeveria Kurti.
Në këtë kontekst, Selmanaj ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, duke thënë se heshtja e saj është e çuditshme.
“Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: ‘Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane’, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri”, ka shkruar Selmanaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Selmanajt:
A ju kujtohet Albini kur thoshte: “S’di pse dikush u befasua që ambasadori amerikan ka më shumë informata se unë”?!
E pra, bash ai ambasadori i njëjtë amerikan sot qartazi thotë që qeveria e Kurtit po punon kundër planit amerikan për Kosovën. Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë që dyshojnë në planin e Amerikës për Kosovën.
Atëherë shtrohet pyetja: Cili është plani i Albinit? Nëse nuk është në përputhje me planin amerikan 🇺🇸 , për cilin plan punon Albini?
Për shumë dekada, burra dhe gra si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë, kanë punuar shumë që Kosova të jetë në planet e Amerikës. Tani kemi një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës.
Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet. Fatkeqësisht, sot nuk mundesh me qenë edhe me Kosovën, edhe me Amerikën 🇺🇸 dhe me përkrahë Albinin.
Duhet ta dimë të gjithë që Aleanca e popullit të Kosovës me SHBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental.
Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: “Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane”, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri.