Selmanaj i LDK-së: Mendësia komuniste e pushtetit ka devijuar rrugën tonë euroatlantike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar ashpër pasi pushtetit e ka votuar Projektligjin për KPM-në dhe KPK-në.
Selmanaj ka thënë se mendësia komuniste e pushtetit, e ka devijuar rrugën e Kosovës.
“Qeveri dhe shumicë parlamentare me logjikë kundërkushtetuese dhe kundër standardeve të BE-së. Përkundër kërkesës dy herë radhazi të opozitës dhe Bashkimit Evropian për tërheqjen e tri projektligjeve, LV-ja dhe partnerët e koalicionit, i votuan dy nga to që kanë elemente kundër kushtetuese dhe janë qartazi kundër standardeve të Bashkimit Evropian. Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave u votuan, kurse Projektligji për zyrtarët publikë u shty në mungesë kuorumi. Të tri këto projektligje janë kundërshtuar fuqishëm nga opozita, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medieve”.
“Mos të harrojmë që të dy P/ligjet, ai për Këshillin Prokurorial dhe ai për zyrtarët publikë, të sponzoruara nga kjo qeveri ishin shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese disa muaj më parë. Pothuajse me të njëjtën logjikë dhe të njëjtën frymë normative, janë risjellë dhe u votuan në Kuvend. Sot me të drejtë shtrohet pyetja: Nëse nuk e përkrahin rrugën dhe standardet e BE-së, cilën rrugë e ka zgjedhë Albin Kurti dhe kasta e tij?! A është ende BE-ja destinacioni i shtetit tonë? Apo ndoshta mendësia dhe logjika komuniste për kapjen e çdo segmenti shoqëror, e ka devijuar rrugën tonë të integrimeve euroatlantike?!! Ky soj i politikanëve, mendërisht dhe strukturalisht janë kundër rendit demokratik dhe kushtetues”, ka shkruar Selmanaj në “Facebook”.