Selmanaj kritikon Projektligjin për byronë shtetërore
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, duke folur për Projektligjin nr. 08/L-121 për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se konfiskimi i pasurive të tilla duhet të jetë interes nacional.
Krahas kësaj, Selmanaj ka thënë se duhet të ketë edhe barazi para ligjit si dhe siguri juridike.
“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë objektiv nacional i të gjithëve, por po ashtu barazia para ligjit, siguria juridike dhe sistem prokurorial të pavarur duhet të jenë objektiva më të mëdha”, ka thënë Selmanaj, duke shtuar se Komisioni i Venecias ka ngritur shumë dilema në raport me këtë projektligj.
“Ne kemi ngritur çështje rreth udhëheqjes së byrosë dhe Komisioni i Venecias e ka ngritur si dilema dhe shqetësime. Asnjë qeveri mos të provojë që komisionin ta shfrytëzojë për legjitimim. Si mund të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës nëse nuk i marrim parasysh këto opinione. Barazia para ligjit dhe sistem prokurorial të pavarur. Është e diskutueshme nëse themelimi i një organi të ri do të bënte punën efektive ose do të ndërlikonte më tepër. Komisioni i Venecias ngrit dyshime në themelimin e këtij institucioni. Tek zgjedhja e drejtorit për neve është e preferueshme nëse votohet me 2/3 e deputetëve”, ka thënë ai në Kuvendin e Kosovës.