Selmanaj: Nëse s’janë bërë votat, më mirë të mos mbahet seanca për Demarkacionin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj ka thënë se do të ishte më mirë që nesër të mos mbahet seanca për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar këtë marrëveshje.
Sipas tij nëse nuk janë votat e duhura për ta ratifikuar këtë marrëveshje do të ishte më mirë që të mos mbahej fare kjo seancë, për faktin se nesër pritët që në Kosovë të qëndroi delegacioni i lartë nga Parlamenti Evropian.
“Ndoshta kishë me qenë mirë që as nesër të mos mbahet seanca nëse nuk i kanë votat, ta shtyjnë për ndonjë ditë tjetër. Sidomos në ditën kur Kosova vizitohet nga presidenti i Parlamentit Evropian të BE-së. Sepse çka nëse nuk kalon demarkacionit, pasojat do të ishin të pashpjegueshme”, ka thënë Selmani në emisionin “Click” në “RTV 21”.
Seanca për ratifikimin e demarkacionit është caktuar të mbahet nesër, ndërsa më herët deputeti i PDK-së, Elmi Reçica ka pranuar se i duhen edhe dy vota koalicionit qeverisës që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi, në kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur i bindur se demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet në seancën e nesërme.