Selmanaj për masakrën e Dubravës: Drejtësia s’ka bërë asnjë hap
I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Rasim Selmanaj, në 25-vjetorin e kësaj ngjarje, ka thënë se pavarësisht dëshmive, drejtësia vendore e ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë për ndëshkimin e kriminelëve.
“Masakra e Dubravës është e vetmja që mund të cilësohet si gjenocid i vërtetë sepse kemi qenë në dorë të shtetit dhe shteti ka pasur për obligim të na mbrojë, por që na ka ekzekutuar. Dihen me emër e mbiemër, madje një nga kolegët tanë, i ka përmendur 119 emra të serbëve përgjegjës për këtë masakër. Plotë për neve kemi dhënë dëshmi, por fatkeqësisht as drejtësia vendore as ndërkombëtare s’ka bërë asnjë hap për ta zbardhur këtë gjenocid të shtetit serb”, ka thënë ai në intervistën e tij në “Lajmet e Fundit”.
Selmanaj teksa ka rrëfyer për tmerrin e jetuar, ka ngritur paralele mes drejtësisë së munguar për ndëshkimin serb dhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Për ironinë më të çuditshme është Gjykata Speciale që po gjykohen liderët e UÇK-së me shpifjet serbe, ndërsa këndej i kemi krimet me fakte dhe askush s’merret me ta”, ka thënë ai.
Selmanaj ka thënë se një nga dëshmitë që ky burg ka bartur në vete përjetime të tmerrshme është edhe vetëvrasja e të burgosurve.
“Ka raste kur të burgosurit kanë bërë vetëvrasje. Ka qenë një djalë shumë i zhvilluar dhe për ne ka qenë befasi. Kur na kanë ftuar për rreshtim, unë s’e kam parë dhe ka shkuar që të bëj vetëvrasje”, ka deklaruar ai për RTK-në.