Selmanaj shpreh pakënaqësinë për procesin e tejzgjatur të liberalizimit të vizave

18 nëntor 2020 | 14:14

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka zhvilluar një bisedë virtuale me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për riorganizimin e strukturave të ish-Ministrisë së Integrimit Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Zëvendëskryeministri Selmanaj, njoftoi ambasadorët për nënshkrimin e Rregullores Nr. 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) nga Kryeministri Avdullah Hoti, si dhe përpilimin e organogramit të ri të Zyrës së Kryeministrit. Zëvendëskryeministri Selmanaj, potencoi se strukturat organizative të ish Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) do të ruajnë strukturën e tyre të plotë dhe funksionet të cilat i kanë ushtruar deri tani me qëllim të ruajtjes së njohurive dhe përvojës që është zhvilluar ndër vite”, ka njoftuar qeveria.

Numri dy i qeverisë, ka theksuar faktin që zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE2) janë tejet të rëndësishme.

Ai ka shprehur edhe pakënaqësinë lidhur me procesin e zgjatur të liberalizimit të vizave.

“Gjatë kësaj bisede, zëvendëskryeministri Selmanaj theksoi faktin që zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE2) janë tejet të rëndësishme për të siguruar rrugën e Kosovës drejtë integrimit evropian. Zëvendëskryeministri Selmanaj, po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) si parakusht i nevojshëm për zbatimin dhe monitorimin efektiv të reformave dhe Planit të Veprimit për ARE 2. Zëvendëskryeministri Selmanaj, në fund të takimit shprehu pakënaqësitë e tij në lidhje me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Z. Selmanaj theksoi se një rezultat pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave do të hapte mundësitë për një qasje të ripërtrirë në zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme për Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Arsenalit, Sead Kolasinaq është bërë lojtari më i…