Selmani dhe Bytyqi flasin për ndeshjen me Suedinë 

05 tetor 2021 | 22:02

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të grumbullimit për dy ndeshjet e muajit tetor kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”.

Për dallim nga stërvitja e djeshme e cila u zhvillua në dy grupe të ndara dhe me intensitet më të ulët, sot futbollistët punuan me intensitet të plotë. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, derisa lojtarët janë shfaqur me humor të mirë gjatë stërvitjes.

Gjatë kësaj seance përzgjedhësi Bernard Challandes ka punuar më shumë aspektin tekniko-taktik për ndeshjen kundër Suedisë. Në stërvitjen e sotme munguan anëtari i Legias, Lirim Kastrati, i cili është duke kryer ekzaminime mjekësore për shkak të lëndimit dhe Bersant Celina, i cili do t’i bashkohet ekipit nga stërvitje e nesërme.

Nga afër stërvitjen e Dardanëve e ka ndjekur edhe presidenti Agim Ademi, me mysafirët nga Federata Shqiptare e Futbollit në Gjermani, presidenti Ruzhdi Statovci dhe sekretari Miftar Dragidella.

Pas stërvitjes për faqen zyrtare kanë folur Astrit Selmani dhe Zymer Bytyqi, të cilët kanë shfaqur shpresën se ekipi do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në dy ndeshjet e këtij muaji. “Presim një ekip fizik. Ata janë të fortë në korner dhe goditjet e lira. Kanë një mentalitet fitues si ekip. Jam i gatshëm për lojë dhe për ndeshjen kundër Suedisë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më lehtë ishte të vij në Kosovë se diku tjetër. Jam krenar që luaj për Kosovën. Në Suedi ka shumë shqiptar dhe besoj se do të vijnë shumë, shpresoj të vijnë sa më shumë”, ka thënë sulmuesi i Hammarbyt, Astrit Selmani.

Ndërkaq, Zymer Bytyqi ndër të tjera theksoi: “Atmosfera është e mirë. Kemi ardhur me energji të re, djemtë kanë ardhur nga klubet e tyre kanë bërë punë të mirë dhe luajtën mirë ndaj Spanjës. Atë energji pozitive e kemi marrë me vete për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë. Suedia bazohet në lojë fizike dhe kanë shumë lojtarë që duhet pasur kujdes. Nëse arrijmë t’i ndalim sulmuesit dhe mesfushorët kemi gjasa të mira. Në Skandinavi ka shumë shqiptar dhe do të jetë mirë për ne”.

Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë nesër në orën 12:00 në Kompleksin e FFK-së në Hajvali.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shqipëri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Ardi…