Selmani ëndërron të luajë për Kosovën
Përfaqësuesja e Kosovës ka shumë talente në radhët e saj, por lojtari Astrit Selmani, pjesë e klubit suedez Varbergs, nuk është pjesë e ‘Dardanëve’.
23-vjeçari i cili jeton në Malmo të Suedisë, është duke shkëlqyer për skuadrën e tij, ku në 22 ndeshjet e fundit të këtij edicioni për Varbergs, ka arritur të shënojë 12 gola dhe të regjistrojë 5 asistime.
Së fundmi, Selmani në një deklaratë për media ka thënë se është ëndërr e tij të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës.
“Unë e kam një ëndërr, dhe ajo është të jem në reprezentacionin e Kosovës. Qëllimi im është të punoj çdo ditë e më shumë. E kam pritur thirrjen nga trajneri Challandes në nëntor, por nuk kishte asnjë kontakt prej tij. Do të vazhdoj të punoj shumë derisa kjo ëndërr që kam të bëhet realitet”, ka thënë Selmani.