Selmani: Kemi mungesë të mjekëve, ata po ikin nga Kosova
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është mbi 50 vjeç, e që sipas profesionistëve shëndetësorë është mjaft shqetësuese për faktin se shumë mjekë të rinj janë duke ikur nga Kosova.
Sipas tij, janë mbi 400 mjekë specialistë të lëmive të ndryshme, prej kur është bërë studimi i fundit në Kosovë, që tashmë e kanë lëshuar vendin për kushte dhe punë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Në vitin 2014 kemi bërë studim me një organizatë nga Zvicra dhe rezultatet kanë dalë se rreth 400 mjekë kanë ikur nga Kosova. Për katër vite të tjera ky numër është shumë i madh. Mos të flas për infermier që numri i tyre që ikin është shumë më i madh derisa nevojat brenda sistemit janë shumë të mëdha. Ata po i ndjekin kurset e gjuhëve të huaja dhe përgatiten për tregun evropian”, ka thënë Selmani.