Selmani: Po largohem me kokën lart nga Llapi

06 qershor 2022 | 18:00

Kastriot Selmani në edicionin e ri 2022/23 nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Llapit, pasi nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me drejtuesit e klubit për vazhdimin e kontratës. “Po largohem nga Llapi ballëhapur sepse përgjatë këtyre tre vjetëve nuk kurseva asgjë për klubin dhe falë mbështetjes nga klubi dhe bashkëlojtarët arritëm t’ia sjellim Podujevës tre trofe, dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë”, ka thënë Selmani. 

Futbollisti Kastriot Selmani edhe zyrtarisht është ndarë me skuadrën e Llapit, pasi nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për ta vazhduar kontratën. Selmani ishte pjesë e Llapit në tre vjetët e fundit ku arriti të fitojë dy kupa dhe një superkupë.

Ai ka thënë se nga Llapi po largohet kokëlartë për faktin se nuk ka kursyer asgjë dhe sukseset nuk kanë munguar.

“Ju njoftoj që pasi nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për ta vazhduar bashkëpunimin, mora një vendim jo të lehtë për mua që pas tre vjetëve të largohem nga skuadra e vendlindjes, KF Llapi. Dua ta falënderoj kryesinë e klubit për korrektësinë, në veçanti presidentin Beqir Batatina, shtabin teknik në krye me trajnerin Tahir Batatina për mbështetjen dhe besimin e ofruar gjatë këtyre viteve, stafin e klubit dhe bashkëlojtarët për të gjitha çastet e bukura që kaluam së bashku. Një falënderim të veçantë për tifozët ‘Legjendat’ dhe çdo qytetar llapjan për mbështetjen ndaj meje edhe kur nuk isha në ditët më të mira. Po largohem nga Llapi ballëhapur sepse përgjatë këtyre tre vjetëve nuk kurseva asgjë për klubin dhe falë mbështetjes nga klubi dhe bashkëlojtarët arritëm t’ia sjellim Podujevës tri trofe, dy kupa të Kosovës dhe një superkupë”, ka thënë Selmani, i cili Llapit i ka uruar suksese edhe në garat evropiane dhe në edicionin e ri. “Për mua kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim”, ka shtuar Selmani.

Fituesja e Kupës, pas një pushimi dhjetëditor, i rikthehet punës për ndeshjet e raundit të parë kualifikues të UEFA “Conference League” të cilat nisin nga data 7 korrik. Kundërshtarin për rrethin e parë skuadra e Llapit e mëson më 14 qershor në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të hënën sanksione…