Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë i Universitetit të Tetovës, faqe e ndritur
Shefkije Islamaj
Në javën e shkuar, më 25 dhe 26 shtator, Universiteti i Tetovës organizoi Seminarin XVIII Ndërkombëtar të Albanologjisë.
Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, tashmë historik, u themelua 18 vjet më parë si rezultat i përpjekjeve të pandalshme me synime dhe vizion të qartë për të tashmen dhe të ardhmen e tij dhe të themeluesit të tij, Universitetit të Tetovës, si rezultat i punës dhe i sakrificës së madhe për të zënë hapësirën e tij, të ligjshme dhe dijendriçuese, që i takonte, në truallin e tij. Edicioni i seminarit të parë, edhe kur u themelua, u çmua nga të tjerët, por edhe nga unë si pjesëmarrëse e tij, si një ngjarje e madhe e kulturës dhe e shkencës shqiptare, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por u shqua dhe u vlerësua asokohe edhe për organizimin e mirë, për numrin e pjesëmarrësve, për tematikat e shtruara e të trajtuara dhe të materializuara në botim më vete me vëllim të madh. U shqua e u vlerësua dhe u përjetua fuqishëm si një e arritur shumë e madhe e Universitetit të Tetovës dhe e shqiptarëve kudo që ishin. 18 vjetët e tij sot dëshmojnë rrugëtimin e tij të mbarë e qëllimin e përmbushur të parashkruar që në aktin e themelimit të tij dhe në punën e tij përgjatë 18 vjetëve të shkuara.
Edicioni i sivjetmë i Seminarit, si një veprimtari e rëndësishme dhe e përvitshme, përzgjodhi si objekt e subjekt bosht temën “Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare”, një temë kjo sa e gjerë e sa e madhe, po aq një temë sfiduese për të gjithë studiuesit, për studiuesit me përvojë të madhe studimore, por edhe për studiuesit e kërkuesit e rinj. Pse sfiduese? Sepse është sfidë të marrësh guximin e t’u “afrohesh” studiuesve të mëdhenj, shkrimtarëve të mëdhenj, publicistëve e dokumentaristëve të mëdhenj, shkurt intelektualëve të mëdhenj siç është akademik Rexhep Qosja dhe veprimtaria e tij shumë e gjerë, shumë e përbërë e shumë e larmishme.
Edhe vetë organizuesit kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e përzgjedhjes dhe të trajtimit të një teme kaq të rëndësishme, kaq të madhe, kaq të gjerë e kaq meritore, siç e dëshmon edhe vetë lista e nëntemave që ka shoqëruar Ftesën dërguar studiuesve dhe profesorëve të institucioneve arsimore dhe shkencore të hapësirës shqiptare, të Maqedonisë Veriore, të Shqipërisë, të Kosovës e më gjerë.
Në atë listë figurojnë 14 nëntema, si thuhet në ftesë, por ato në të vërtetë janë 14 tema të mëdha: Kontributi i Rexhep Qosjes në letërsinë shqipe, Rexhep Qosja si shkrimtar, studiues, dramaturg dhe eseist, Romanet e Rexhep Qosjes, Veprat dramaturgjike të Rexhep Qosjes, Veprat shkencore të Rexhep Qosjes, Ditarët e Rexhep Qosjes, Esetë politike të Rexhep Qosjes dhe ndikimi i tyre, Mendimi kritik i Rexhep Qosjes për letërsinë shqipe, Pikëpamjet e Rexhep Qosjes mbi identitetin shqiptar, Roli i Rexhep Qosjes në diskursin intelektual shqiptar, Analizë krahasuese e veprave të Rexhep Qosjes dhe shkrimtarëve të Ballkanit dhe të Evropës, Gjuha dhe ligjërimi i Rexhep Qosjes, Ligjërimi postmodern i Rexhep Qosjes dhe Vizioni i Rexhep Qosjes për të ardhmen e kulturës shqiptare.
Konferenca ka zhvilluar punimet, pos në Seancën e hapjes ku u paraqitën me fjalët e tyre dy drejtuesit e Universitetit dhe të Seminarit dhe tre studiues mysafirë, në 9 seanca, të përveçuara sipas tematikave të tri fushave: letërsi, gjuhë, histori, tri tema të mëdha këto, të cilave akademik Rexhep Qosja ua ka kushtuar jetën dhe krijimtarinë e tij mendore shumëvjeçare.
Në Konferencë, siç shihet prej Programit të saj, u paraqitën numër i madh studiuesish, 83 pjesëmarrës si autorë e si bashkautorë, me gjithsej 75 kumtesa, numri më i madh i të cilave u lexuan nga studiues të shquar me prestigj mbarëkombëtar, studiues të zellshëm me përkushtim të palodhshëm ndaj çështjeve letrare, historiko-letrare, gjuhësore, stilistike dhe historike kombëtare, dhe studiues të rinj dhe të tillë, që sapo e kanë filluar rrugëtimin e tyre shkencor e që janë ardhmëria e studimeve tona gjithëkombëtare. Nga Instituti Albanologjik në këtë Seminar morën pjesë nëntë studiues: gjuhëtarë, letrarë dhe historianë.
Numri posaçërisht i madh i studiuesve të paraqitur me kumtesa në këtë Seminar flet për Universitetin e Tetovës, flet për prestigjin e tij mbarëkombëtar, flet për Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë, por flet dhe flet shumë, edhe për vetë protagonistin e Konferencës shkencore – akademik Rexhep Qosjen.
Shumë prej pjesëmarrësve në seminar, si kumtues e si dëgjues, kanë qenë studentë të Rexhep Qosjes në Universitetin e Kosovës prej fillimit të themelimit të tij e shumë të tjerë studentë të tij në Tetovë në fillimvitet e shekullit 21, në Tetovën e Maqedonisë Veriore, në Tetovën e shqiptarëve e të Universitetit të saj, në Tetovën dritëkërkuese, në të cilën profesori Rexhep Qosja ka përjetuar mikpritje të jashtëzakonshme, të pashoqe dhe adhurim të paharruar ndaj përkushtimit të studentëve e studenteve ndaj dijeve, ndaj ligjëratave dhe ndaj provimeve e përurimeve, siç e thotë profesori në fjalën e tij përshëndetëse dërguar Seminarit në ditën e mbajtjes. Ata, studentët e tij, në këtë Seminar shpalosën jo vetëm vlerësimin e lartë dhe nderimin e veçantë për punën e tij, krijimtarinë shkencore letrare, gjuhësore e historike, por shpalosën edhe mirënjohjen dashamirëse e të paharrueshme për mësimet e ligjëratat e tij.
Konferenca shkencore me 75 studiues të paraqitur me kumtesa – është ngjarje e madhe, ngjarje që flet vetë, që flet shumë dhe që flet shumëkuptimshëm. Dhe pse të mos flasë?
Vlen të thuhet, prandaj, në fund të këtij shkrimi rasti për Universitetin e Tetovës, se me historikun e tij, se me veprimtarinë e tij arsimore të përgjithshme hapësinore e kohore, me veprimtarinë e tij të rregullt e të pasur pedagogjike, kulturore dhe shkencore, Universiteti i Tetovës, bashkë me Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë, i ka zhvilluar, rritur, pasuruar, përforcuar, cilësorisht e sasiorisht përkushtimet mendore me përmbajtjet shoqërore, kulturore, politike, shpirtërore, etike, kombëtare, për të tashmen e për historinë tonë, për kohezionin në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë ata në këtë kohë me frymëzime e pengime jo të pakta e natyrash të ndryshme.
Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë i Universitetit të Tetovës është faqe e ndritur e këtij Universiteti.
Mirupafshim në konferencat e në seminaret tona të përbashkëta Tiranë, Prishtinë, Tetovë e më gjerë!