Seminari “Zgjohu” i Antigona Behramit, energji transformuese

18 nëntor 2024 | 15:42

Antigona Behrami, kjo grua me energji të lartë e me vetëbesim të madh nga Kosova, e cila ka vite që është bërë mentore e qindra njerëzve nga e gjithë bota, dje në Tiranë ka organizuar seminarin e radhës me titullin “Zgjohu”. Ata që u zgjuan dhe morën rrugë për Tiranë, për ta ndjekur ligjëratën e saj, ishin të shumtë dhe u nisën me gëzim nga vende të ndryshme të botës, disa me avionë, disa me autobusë, disa me vetura, disa me trena. Salla e gjerë dhe e gjatë, me kapacitet prej pesëqind vendesh, ishte e vogël për t’iu bërë vend të gjithë të interesuarve, prandaj disa njerëz qëndruan në këmbë, disa ulur, por të gjithëve u shkëlqente fytyra nga gëzimi që ndienin për pjesëmarrjen në seminarin e saj.

Për autoren e shumë librave best seller, Antigona Behrami, e cila te çdo njeri si askush tjetër në çdo kohë përcjell energji pozitive, siç përcolli edhe dje te secili i pranishëm aty, seminari i saj ishte një përvojë e paharrueshme. Ajo mbrëmë, gjithashtu edhe sot në llogaritë e veta në rrjete sociale, ka shpërndarë disa fotografi nga seminari, duke përcjell nëpërmjet tyre çastet e gëzimit, të falënderimit, të përgjegjësisë e të vetëbesimit të atyre që kanë ndjekur me vëmendje ligjëratën e saj, e cila ka krijuar emocione të veçanta tek të pranishmit. Si çdoherë tjetër, pas çdo përfundimi të seminarit, Behrami ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për pjesëmarrjen e tyre në seminar.

Ajo në rrjete sociale ka shkruar:

“Një përvojë e paharrueshme.

Dita e djeshme ishte një dëshmi e fuqisë së transformimit dhe energjisë kolektive që ndodh kur bashkohen zemrat dhe mendjet tona për të krijuar një hapësirë të sigurt dhe të mbushur me dashuri. Në këtë seminar ne jo vetëm që liruam bllokimet që na ndalonin të ecim përpara por, gjithashtu, kuptuam se sa e rëndësishme është ta pastrojmë memorien që na mban peng.

Energjia në atë sallë ishte e jashtëzakonshme. Energjia aty na dha forcë dhe na mbushi me shpresë, me gëzim dhe me dritë. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë mirënjohjen time për dashurinë dhe mbështetjen që më dhuruat. Përqafimet, lulet, dhuratat dhe falënderimet e juaja më prekën thellë në zemër. Teksa shihja sytë e tyre që ndriçonin me shpresë dhe lehtësim, për mua ishte një bekim. Ishte e mrekullueshme t’i dëgjoja historitë e tyre dhe ta shihja transformimin e brendshëm të tyre që ndodhte për disa orë. Ky seminar nuk do të kishte pasur këtë magji pa ju, të dashur pjesëmarrës! Ju jeni frymëzimi im për ta vazhduar këtë mision. Kjo ishte një ditë për të kujtuar se forca jonë e brendshme mund ta thyejë çdo barrierë. T’ua kujtojmë të gjithëve që ndryshimi fillon prej nesh.

Salla ishte mbushur deri në maksimum. Aq shumë njerëz kishin ardhur saqë shumë prej tyre qëndruan në këmbë ose ulur në dysheme. Pavarësisht qëndrimit ulur në karrige, në dyshemeve apo në këmbë, askush nuk ndjeu lodhje. Dashuria, energjia dhe dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtij udhëtimi transformues, ishin aq të forta sa gjithçka tjetër u harrua. Kjo për mua është dëshmi e fuqisë së një komuniteti të bashkuar nga vizioni i përbashkët për rritje dhe vetëpërmirësim. Kjo përvojë më bëri të kuptoj se herëve të tjera na nevojiten salla më të mëdha për ta mirëpritur çdo zemër dhe çdo shpirt që kërkon të bëhet pjesë e kësaj energjie transformuese. Ky është një sinjal i fuqishëm që puna jonë ka rëndësi dhe se gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë të bëjnë një hap përpara në jetën e tyre.

Ju falënderoj nga zemra për përkushtimin tuaj, për gatishmërinë për t’i hapur zemrat dhe për dëshirën për ta ndryshuar jetën tuaj!

Ju jeni frymëzimi im më i madh!

Ju falënderoj të gjithëve,

me dashuri dhe mirënjohje,

Antigona Behrami

Ju dua!”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i beson Gjykatës Kushtetuese…