Semiopragmatizmi vital i Shkëlzen Ukëhaxhaj
– Izotopia e konceptit atdhetar në rrafshin diakronik
– Kontekstualizimi diakronik mbi motivin atdhetar
Shkëlzen Ukëhaxhaj është ndër shkrimtarët avangardues të letërsisë postmoderniste që me veprat e tij ka treguar unicitetin mbi tiparet e poezisë, që ngërthen në tematika të spikatura duke kaluar nga një kohë në një tjetër kohë, e format prolepsike determinojnë në të gjithë veprën. Pa nguruar mund ta quajmë veprën domosdoshmëri letrare për letërsinë kombëtare sepse stili, vargu dhe teknika përbëjnë poezinë e mirëfilltë dhe vargu i Ukëhaxhajt është i tillë. Bilateraliteti mes subjektit dhe nesh formëson një njësi pragmatike, sepse trajtohet ndjenja e përkthyer në dashuri, atdheu, sëmundja, historia, filozofia, psikologjia, arti, estetika e të bukurës e kështu ne vrojtojmë një kuantitet motivesh që nuk mund ta braktisim librin pa e lexuar.
“Kur fjala takon zemrën” evidenton në plotësinë e saj një polisemi mbi termin zemër prej së cilës shënjohen disa ndarje të emërtuara metaforikisht si kapituj, për të perceptuar situata imazhologjike, që ndodhin në sferën e jetës duke ndërtuar kujdesshëm letraritetin. Struktura formale respekton metrikën e saktë duke njësuar ndërthurjen e ritmit, rimës dhe figurave stilistike çka bën të mundur impaktin e pandashëm me lexuesin. Por, pse poeti i quan kapituj dhe i segmenton në tematika si në prozë!?
Retorika e shprehësisë në vepër na përcjell se poezitë e një kapitulli kanë në gjenezën e tyre motive të ndryshme si shkak i vijueshmërisë së mendimit mbi subjektivitetin e temës.
Në vepër vëmë re pozicionimin subjektiv të autorit, që e shtrin në një rrafsh shumëdimensional dhe si pararendës simotërzuese janë disa poezi të botuara më parë, siç mund të citojmë poezinë “Poetëve”, ku nëpërmjet figurës së Don Kishotit, një ëndërrimtar dhe pasionant për ta kthyer kohën në një digresion të mundshëm, Ukëhaxhaj mbledh autorët nën ditëzën e shandandanëve për të vrojtuar një të vërtetë që mbetet thjesht një iluzion i haluçinacionuar.
“Enden poetët
Sipër kalit të Don Kishotit
Shekulli i ri u duket i largët
Ecni poet në ballë të kohës
Se Prugatori ju pret”
Esencialisht përcaktohen dy fuqi: shekulli si një element kohor, ku autorët gjenden në një dilemë përshtatjeje me mjedisin, ku kuturu humbin, çorientohen, mëkatojnë dhe diapazoni alegerian nuk është gjë tjetër veçse katarsisi shpirtëror, për të shkëputur rëndesën e vetëdijes mbi ritmin e jetës, mbi konceptet ekzistencialiste antonimike mes qenësisë dhe hiçit, duke e abstraguar deri në të ashtuquajturën ëndërr, që vijon në kohë dhe hapësira të ndryshme dhe që është trajtuar gjerësisht nga piko analitiket si nga Frojdi ashtu edhe Jungu arrijnë në një ide të përbashkët, që ëndrra ka një përmbajtje psikike të fshehtë, që ndërthur linja problemore të akumuluara në rrjedhë realitetit për të shlyer gabimin apo mëkatin fillestar dhe elementi tjetër po aq i rëndësishëm është përshtatja. Le ta përqendrojmë vëmendjen te aspekti i parë. Ëndrra si një produkt patologjik përfshin simptomën e disa kujtimeve që mund të rrinë të fjetura përkohësisht apo përjetësisht e Ukëhaxhaj e ka shprishur këtë linearitet duke u përqendruar te ndjenja atdhetare. Dëshiron të shëtisë, të buzëqesh e të ndiej kënaqësinë e jetës, por jo në Kosovë, jo në vatrën atërore, pasi shpirtplagosur kujton përçmimet, pabarazinë, robërinë e këtë e burgos brenda mendjes duke e ruajtur fuqishëm si një anomali e jetës pa të cilën nuk jeton jo se e dashuron, por fokusi i aktualitetit është rishikimi pas për të vijuar përpara. Ashtu siç thotë edhe Luçia Çezarini Martineti te vepra “Filozofia” …ato mund të ndodhin brenda mendjes, janë shumë të ndërlikuara. Kur një fjalë hyn në tru, nuk është gjë tjetër veçse një varg tingujsh në kërkim të një domethënieje” e këtu vihet re vargëzimi i qëndisur me fjalë shpirti ‘atdhetarizmi’, është izotopi që krijon nivele në bazë të figurave të shquara të historisë siç mund të përmendim Adem Demaçin që lartohet mbi veprimet heroike përgjatë luftës.
Poezia fillon me:
“Ti, o Promethe
Të gjitha i thanë…
Për TY
Kush ishe e kush je,
Por, Ti
Në vendin tim do mbetesh
Gjitmonë, PROMETHE.”
Figura e Prometeut bëhet simbolikë e fuqishme rimarrjeje për autorin duke e analoguar me figurën e çmueshme të Adem Demaçit, i cili në formë koncentrike tejçon përballjet e protagonistit përballë realitetit të egër të kohës. Vargu i parë na sjell një qasje të fortë ekspresive. Zëri prometean simbolizon arsyen, përparimin, dritën që do të tejçoj në mendjen e njerëzve, t’i bëj ata të vetëdijshëm ndaj veprimeve të tyre. Ndaj themi që dashuria e Prometeut për tokësorët vjen si pasojë e fisnikërisë që e karakterizon, ashtu si Ukëhaxhaj e parashpreh figurën e Demaçit strateg, që të afeksionuar nuk janë vetëm individët, por edhe rrugët, lagjet e çdo gjë që përmban rrethinën e këtij vendi duke e përqafuar në momentin e fundit fizik e dhe duke thënë “LAMTUMIRË BIR”, një shkëputje fizike e jo shpirtërore, pasi Demaçi frymon dhe gjendet kudo në shqiptari. Këshillat, vizionet dhe idealet janë bashkësia që sistemoi me kujdes si testament për ta praktikuar gjithnjë në rast nevoje e rreziku, formulë e saktësuar mbi rezultativen. Lëvizja referenciale është domosdoshmëri dhe nevojë letrare për të sinonimizuar personazhe që mishërojnë ide qofshin këto humaniste apo iluministe me personalitete nga Bota e Njëmendësisë, e autori nuk ndalët. Në rrjedhë të motivit atdhetar thur vargje për Jusuf Gërvallën, Zenun Gjocajt, Din Mehmetin, Dervish Shaqën duke ngritur një rrethnajë piramidale për të vërtetuar se historia është shpirti i një populli dhe thurja e vargjeve nuk është gjë tjetër veçse përkthimi i një shpirti të dashuruar pas lirisë.
Një tjetër figurë e një rëndësie të veçantë është poema kushtuar Jusuf Gërvallës, personalitet i pikëparë në:
- Personazh i lidhur me historinë
- Si mimetike letrare
- Si analogji teologjike
Jusufi si diskurs prodhon historinë e personazhit letrar lidhur me fatin e tij çka sjell plotësi mbi aspektin kombëtar. Në vepër një ëndërr e Titos bëhet shkas e një lëvizje masive që trazon rehatinë e mizorit për një të drejtë kolektive, e personazhi ynë është fiksion i lidhur me një ambient konkret, që është Prishtina. Jusufi jeton e vepron në poemën e Ukëhaxhajt në disa shtresa interteksuale siç e lartpërmendëm, ku peripecitë, drejtësia, angazhimi për një të drejtë përkon me Jusufin teologjik, sepse ai nuk u ndal përpara asgjëje e kjo solli për të tragjedi familjare për kauzën atdhetare.
Dhe qëllimi fisnik i tij,
Lëvizja si një trup bashkohet,
Në mes t’janarit ’82-it
Me Kadrinë dhe Bardhoshin
Tashmë n’përjetësi.
Jusuf Gërvalla prezantohet me të tria gjinitë letrare epikë, lirikë dhe dramatikë, ndonëse qendërzimi është figura e mëmatdhesisë, e cila koordinohet me rrafshe reale dhe irreale duke bërë të mundur kuptimësinë e termit letërsi. Vitet ’70 ndihet fuqia e figurës së Jusufit që u angazhua me lëvizjen e jetës politike çka ngërthen dryna të shumtë kuptimor ndër vargje duke e njohur jo vetëm si gazetar, publicist, por edhe si prozator, dramaturg e poet që i këndon Atdheut duke u njësuar si shpirt i ndjeshëm lirik. Qasja e Gërvallës, Zenun Gjocajt, Din Mehmetit dhe shumë figurave e personaliteteve të shquara historiko-letrare na shëmbëllejnë me heronjtë e Rilindjes Kombëtare, madje edhe vetë Ukëhaxhaj personifikohet ‘rilindas’ i një kohe pegasike nga datimi i vetë rilindjes si periudhë letrare e deri te nënvizimi tipareve mbi mallin dhe dashurinë për atdheun. Në vepër gjejmë një novatorizëm mbi aspekte të shkrimit, ku “Biografi në vargje” larton figurën e Zenun Gjocajt atdhetarit të paepur, poetit dhe gjuhëtarit të paharruar. Vargje të tëra kushtimi për nder të tij i lexojmë me një vëmendje shumë të veçantë, por duam të ndalojmë të respekti që kishte për Adem Jasharin.
“Kështu vdekjes i the: Prit!
Sa t’kryej Epopenë në vargje,
Më duhen edhe ca ditë.
Më duhet të shkruaj për UÇK-në,
Simbolin e lirisë
Për Adem Jasharin t’i them ca vargje,
Si Fishta për Oso Kukën n’Lahutë t’Malcisë.
Tani eja!
Tash mbarova trilogjinë,
Vdekje, ty s’të frigohem,
Po të pres, oj armike”
Alegorikisht, stopohet vdekja për shkrimin e një epopeje që vijëzonte një figurë madhëshore, Adem Jashari, kryekomandanti legjendar i UCK-së duke e krahasuar me Oso Kukën e Fishtës te e madhja Lahutë e Malcisë, autori rimerr trimërinë, guximin dhe iniciativën për ndryshime thelbësore kombëtare për të mirën e përbashkët e kjo e shprehur në triologji, tri pjesë përbërëse që simbolikisht janë përcaktuese e fillimit të gjëmës, luftës, zhvillimit masakrues dhe përfundimit të një lumturie lotsjellëse, pasi humbja e të dashurve në luftë plagos shpirtin që shijon lirinë territoriale. Ukëhaxhaj shkel në terrenet rrëfyese të Zenunit duke e thirrur tashmë vdekjen, atë armike prej së cilës askush nuk mund të fshihet dhe ta largoj duke i thënë “Tani eja!”. ‘Merr leje’ Gjocajt nga vdekja për të bërë këtë triologji mbi Jasharin dhe se Ukëhaxhaj merr të njëjtin funksion për të vazhduar parabolizimin e së njëjtës njësi; të na njohë Zenunin përpara lexuesit, popullit duke e pyetur, duke e lavdëruar e diku-diku edhe duke aprovuar e mbështetur mbi fjalët “Ku fjala krijohet me mjeshtëri, Aty fjala bëhej ligj, ligji përsëri liri”
Duket sikur ka një marrëveshjeje mes vdekjes dhe Gjocajt që ky i fundit të mbante amanetin e tij shpirtëror për të përfunduar triologjinë.
Naimi, De Rada, P.Vasa e shumë rilindas të mëdhenj të kohës formësonin idenë të shprehur në vargje dëshirën për liri, për një vend të çliruar nga robëria fizike e psikike e duke kërkuar respektin e një qytetari demokratik në një botë të lirë e analogjizmi vijohet me Ukëhaxhajt që përjeton një mall dhe dëshirë për Kosovën, Flamurin, etninë, traditën e se ëndrra e një ëndërrimtari mban gjallë shpresën e vrarë nga situatat e dëgjuara dhe të përjetuara në vend.
Thërret Ukëhaxhaj, thërret fuqishëm “O Adem Demaç” që unifikon revoltën e brendshme si rëndesë psikologjike dhe njëkohësisht qetësimi mbi ‘heronj’ të vlerës atdhetare; simbol për një vend të lirë, shpresëdhënës dhe vetflijues për atdhe. E nëse i qasemi ngadalshëm figurës së Milosaos së dashuruar përjeton një moment lirik duke neglizhuar shkujdesëm detyrën atdhetare dhe një deux ex machina e rikthen atë në luftë dhe vdekja e tij nuk është dhimbje për ne, por një simpatizim për figurën e një heroi me fat të paracaktuar mbi tragjizmin e jetës e fokusi ynë është eptimi mbi etapat për liri, ku edhe vepra jonë studimore kapërcen në stade sa të dashurisë si përcjellje e një uni të brendshëm aq edhe të epizmit mbi konceptin e atdhetarizmit. E ndjen autori dhimbjen e kudogjendshme në popull, në kulturë e në gjuhë dhe thur lavdishëm vargje për atë Kosovë që shpirti i qan. Larg saj fizikisht si rilindasit, por me një vëmendje te problemet filozofike si liria, lumturia, jeta e vdekja për atdhe të gërshetuara me aspekte të modernizmit duke e bërë veprën të krijoj linja paralele të tematikave të përdorura.
Në definicion, poezia “Thirrja e çlirimtarit” përmbyll unin atdhetar të autorit duke i kushtuar një vend të konsiderueshëm kësaj tematike.
Kapitulli i dimensionit estetik ka një peshë të madhe rematike mbi qasjen e dashurisë si koncept universal, shumëdimensional duke radhitur autorë e siç e thotë edhe Zhak Lakan (Jacque Lacan) “Lexuesi nuk merr pjesë në mënyrë pasive ndikimin që teksti letrar mund të ushtrojë mbi të, por përfshihet në një proces më aktiv, ose më tepër ndëraktiv” sidomos kur përballemi me poezinë në totalitetin e saj dhe me titullin e poezisë “Ç’është poezia” duke përllogaritur kontekstualizimin e ndërtuar tashmë jo tematik, por natyrshmërinë rrjedhëse të vargjeve duke shkoqitur fonemat e duke formuar simfoninë dashurore, dehëse të zemrës e të shpirtit, ku të dy pranojnë edhe irrealen si mundësi shlodhjeje.
“Do të kisha shkruar një përrallë
Për jetën të kisha menduar
Sikur të isha Ezopi…”
Kumti poetik i Ukëhaxhaj është një udhëtim i gjatë që kërkon të gjej vendmbërritjen duke filluar me mistikët antikë e duke vijuar, kapërcyer në rryma të ndryshme letrare. Ezopi metaforikisht shënjon jo një autor, por periudhë të artë shkrimore, që i referohet poetit si indicie për një model përfaqësues në publik, endet për të gjetur vetveten mbi estetikën
Sikur të isha Ezopi.
Po të isha Aristoteli,
Do të bëja një libër mbi përvojën.
Antikiteti përbën bërthamën jetike për vijimin mbi unin poetik, thënë ndryshe bëhet simbol i oportunizmit si vlerë e patjetërsueshme.
Në radhët e shkrimtarëve përmendet i madhi Migjen dhe koncepti i mbinjeriut, ku ndodh një polemikë e fshehur ndër vargje.
Kur në botë është luftë, për mbinjeriun
Mund të jem Migjeni, Niçe mund të jem unë.
Le të përqendrohemi te Migjeni për të kuptuar psikologjinë e vargjeve të librit tonë, sepse në to ka thellime filozofike dhe është e nevojshme një shqyrtim i shpejtë i stilit migjenian sepse ka pika takimi dhe largimi mes dy veprave.
Vëllimi “Vargje të lira” është i ndarë në gjashtë cikle e poezia e tij u bë novatore, shprehëse dhe pasqyron dhimbjet, ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen duke u mbështetur te fuqia e vetvetes. E përqafon teorinë niçiane duke mos besuar në një fuqi hyjnore, madje ai del në një revoltë të hapur ndaj mjerimit që nuk mund ta ndryshoj askush asgjë. Kësaj panorame i qaset Ukëhaxhaj në kohën për të cilën autori jeton, postmodernizmi shihet si një derivat i viteve ’30 me të njëjtat problematika, shqetësime, ngërçe dhe revolta, të cilat vijnë si pasojë jo e mospasjes, por si pasojë e individit egocentrik mbi vëmendjen ndaj vetvetes të shpërndara këto shqetësime në kapituj poetik, respektivisht “Fjala e kapërthurur nëpër pejzat e ndjenjave”, “Meditime poetike”, “Biografi e vargëzuar”, “Përkushtime” dhe “Liria e plagosur”.
Kostatojmë se poezia “Vëllai në shekullin 21” thyen traditën duke mos e njohur vëllanë, atë gjak që dikur ishin rritur në vatanin e tyre, kur varfëria dhe robëria i kishe kapluar dhe ata ndienin dashurinë, e ushqimi individual, vetjak përgjysmohej jo si detyrë, por si ushqim i një shpirti të pastër që sakrifikonte, e sot?
As robëri, as mjerim, por kryeneçsi dhe arrogancë. Pra, kemi një ndyshueshmëri midis dy kohëve migjeniane dhe ukëhaxhajt, sepse ato sendërtojnë të njëjtat shqetësime, ndonse më shqetësuese ështe e sotmja pasi mbizotëruese është egocentrizmi.
E figura femërore?
Femra në të dyja veprat çmitizohet e vjen në trajtat e saj e zhveshur nga himnizimi i bukurisë dhe i mirësisë, qëndisja e detajeve bie si tipar i të dy autorëve. Migjeni te “Baladë qytetse” trajton problemin e psikikës së kësaj zonje që vallëzon në qytet krejt pa arsye, në vetminë e saj duke u rikthyer mbase në shtresëzimet e saj palimsesike, kujton rininë përballë figurës mashkullore.
…kur gjit’ e saj në kreni
Shpërthejshin n’aromë,
Kur ishte e njomë
Atëherë e dashurojshin shumë zotni. E sot?
Në kohën migjeniane personifikohet imazhi i saj dënues ndaj moralit të kohës, por është vetëm fillesa sepse novela të tjera trajtojnë këtë aspekt sikundër edhe incestin, që është vektor i rëndësishëm tematik, ndërsa Ukëhaxhaj përmban premtimin e aleancës postmoderniste duke u spikatur te erotizmi kontekstual “Fati në kohën tonë”, ku vashëza nuk e dëshiron, por e sheh si domosdoshmëri jetese, punë e cila i mundëson një jetë ‘normale’ pa mundime. Arrin dhe ta paralelizoj me profesione të tjera normale
Por, ua them nga shpirti:
Veç atij që e fiton me djersë,
E puna ime me nderin e humbur,
Më duken si e njëjtë…
Diskurisi i poezisë është pa ngjyresë emocionale dhe enumeracioni është tregues i veprimeve të vajzës ku tradhtia, dyfaqësia, paraja (pagesa për një natë erotike) dhe pushteti është aktualizues nënsipërfaqësor i shtresave të ndryshme shoqërore. Ndonjëherë, fati është destinues, paracaktues edhe i brezit pasardhës dhe protagonistja drejton lutje Zotit që fëmija i saj mos të ketë një fat si ajo. Pra, në bazë të ligjërimit vrojtojmë dysinë e dy personaliteteve që janë binjakëzues i së njëjtës tematikë, aty ku e lë Migjeni e rimerr Ukëhaxhaj në të njëjtën stil e përformancë shfaqjeje, por pa sforcime dhe kërshëria e ndodhive shkallëzohet aq lirshëm saqë mendojmë që është e njëjta dorë që e shkruan. Ndërfutja e elementit të psikozës si poezi e bën veprën me një karakter shumëngjyrësh pasi personifikon çdo personazh që jetësohet aty. Ndihet lodhja, zbrazëtia, vetmia dhe bindja fetare nuk i udhëheq kah predikimeve, por humbet dhe ai besim që dikur i kishte mbajtur sot në qendër është vet personazhi, pra mbinjeriu migjenian.
Autori trajton dhe segmente të tjera si: dashuria dhe himnizimi i dashurisë së dy të rinjve, dashuria për vendlindjen, për individët që janë në kapërcyell mes jetës dhe vdekjes dhe e gjithë kjo larushësi bëhet objekt studimi mbi bazë të letraritetit.
Dashuria si një koordinatë e boshtit jetësor plotëson një nga tematikat e shfaqura në një vepër. Romeo dhe Zhulieta dy protagonistët e një pasioni mbi të patjetërsueshmen plotësojnë tragjizmin nëpërmjet veprimit dramatik. Udhëtojmë si lexues në veprat e Rilindjes jo vetëm shqiptare, por edhe europiane duke piketuar se e dëshirueshmja nuk arrihet, ka diçka që nuk arrin në definicion, ‘akuzohet’, fati i paracaktuar i tragjedisë për mosshikimin e së bukurës, e së mirës, e së dëshirueshmes.
Estetika zoton, tragjedia gozhdon duke ndërprerë rrjedhën e vazdimësisë mbi botën jetësore e vetëdija individuale krijon një kredo botë bashkudhëtimin e tyre në përtej had, që mund të jetë një dimension prugatoresk, ku shpëlarja e mëkateve është veprimi mbi vdekjen e parashikuar si rrisk guximtar mbi një përvojë të eksperimentueshme. Ky oaz vektorizohet me shpizën e ngrohtë të Ukëhaxhajt. Kurti dhe Petra zbresin në shkallët e thjeshtësisë dhe dashurojnë njëri-tjetrin në veprime thjeshtëzuese të padënueshme, por fati si një faktor sprovon me mosvazhdimësi të pasardhësit në të cilën Kurti dhe Petra e ndienin shumë e ngushëllimi ishte besimi në një fe monoteiste. Rrethi vicioz që ata kishin krijuar në monotoninë e tyre vriste, por mirësia dhe respekti për tjetrin u dha kurajo e shpresë për një të nesërme që sekretet janë të kofikueshme. Nga shpresa në rrënim e në poezinë “I dëshpëruar Lasgushi” homologohet më situatën e autorit, ka dashuruar, dashuron, por nuk ka një reagim ndaj këtij ngacmimi ndjesor dhe autori plogështohet në shpirt e jetën e quan të pakuptimtë pa praninë e së dashurës së tij.
Në këtë vend kurrë s’do të mbijë bari,
Lotët e mi e kanë tharë krejt,
I mërguar pa dashurinë time,
I dëshpëruar, marrëzisht do të vdes.
Në këtë botë të ndërtuar prej Shkëlzen Ukëhaxhaj konotohet shija estetike e zhanrit të poezisë. Letërsia e tij adreson vargje interaktive me historizmin e një teme të caktuar duke përfshirë lojën retrospektive si tagentgrupi më interesant brenda veprës. Në vetveten e tij pavarësisht shprehësisë mbi çdo motiv, opiumin është atdhedashuria.
E madhërishmja UÇK- ja, Kosovë sa keq po më dukesh,
Bijtë e Komitetit kishte, Shtëpia ime e vorfnume,
Fuqi e ripërtërirë. Kosovë e lirë…
Emine Boriçi
Lushnjë, Shqipëri
14 Tetor 2024