Sëmundjet e zemrës në Kosovë, ngritje me mbi 150 për qind
Rastet e sëmundjeve të zemrës po bëhen çdoherë e më shqetësuese edhe në Kosovë. Kjo pasi çdoherë e më shumë po rritet numri i personave që kërkojnë tretman mjekësor, duke arritur deri në 200 për qind më shumë të rasteve të vendosjes së stendave dhe trajtimeve tjera.
Kështu u tha në konferencën për media me rastin e Ditës Botërore të Zemrës, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Klinikën e Kardiogjisë dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Ministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, ka thënë se sëmundjet e zemrës mbesin ende vrasësit kryesor të popullatës sonë. “Angazhimi i gjithanshëm ndërinstitucional në parandalimin, diagnostifikimin dhe shërimin e këtyre sëmundjeve është i domosdoshëm”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se kjo ditë po shënohet në të gjitha qendrat rajonale të Kosovës, transmeton “ksp”.
Përfaqësuesi i QKUK-së, Tefik Bekteshi, ka thënë se QKUK-ja në këtë vit ka bërë shumë në kualitet të shërbimeve që ofrojnë.
“Në Kardiologji kemi 4.468 pranime, duke shtuar edhe 740 pranime në kardiologji dhe kardiologji invazive. Kemi 153 operime në këtë vit, nëse krahasojmë me vitin e kaluar kemi pasur 99 operime me zemër të hapur, pra është një ngritje prej 160 për qind. Deri në këtë ditë kemi bërë 1 780 koronografi, krahasuar me vitin e kaluar kanë qenë 845 koronografi. Janë realizuar 1 010 stentime, domethënë procedura, gjegjësisht implementuar 1 222 stenda, pra kjo është një ngritje nga viti i kaluar ku kanë qenë 55 procedura, për 200 për qind”, ka thënë Bekteshi.
29 shtatori është Dita Botërore e Zemrës, ditë e cila në shumë vende të botës shënohet duke mësuar për sëmundjet kardiovaskulare.