Senati amerikan kundër tërheqjes së trupave nga Siria dhe Afganistani
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një masë simbolike që kundërshton urdhrin e presidentit Donald Trump për t’i tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe Afganistani.
Masa është një amendament jodetyrues, i cili thotë se grupet islamike militante vazhdojnë të paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Meqenëse Trump është republikan dhe republikanët e kontrollojnë Senatin, kalimi i masës shihet si shenjë e mospërputhjes për një çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Amendamenti, i cili është miratuar me 70 vota për dhe 26 kundër, thotë se ka përparim në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, si dhe atyre të Al-Kaidës në Siri dhe Afganistan.
Por, ai po ashtu paralajmëron se “tërheqja e shpejtë” e trupave amerikane mund ta destabilizojë rajonin dhe të krijojë një vakuum, që mund të mbushet nga Irani ose Rusia.
Janë rreth 2 000 trupa amerikane që aktualisht shërbejnë në Siri dhe rreth 11 000 në Afganistan. /Rel/