Senati do të votojë për bllokimin e emergjencës kombëtare në kufi me Meksikën
Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), i kontrolluar nga republikanët, do të votojë sot një rezolutë për të bllokuar vendimin e presidentit Donald Trump për shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin me Meksikën.
Senati pritet ta refuzojë deklarimin e emergjencës kombëtare, por Trumpi pritet të përdorë veton ndaj vendimit të Senatit.
Trumpi shpreson ta përdorë vendimin e tij për të siguruar fonde për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.
Trumpi ka thënë se me këtë mur do të pengohet hyrja e paligjshme e migrantëve në Shtetet e Bashkuara, raporton “Rel”.
Votimi në Senat, dhomën që kontrollohet nga partia e Trumpit, shihet si një goditje për presidentin.
Burime të Kongresit kanë thënë se së paku 15 republikanë do të votojnë për të bllokuar shpalljen e emergjencës kombëtare.
Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët dhe e kundërshton fuqishëm ndërtimin e murit kufitar, e ka kaluar legjislacionin kundër emergjencës kombëtare muajin e kaluar.
Demokratët kanë theksuar se nuk ka dëshmi për emergjencë të tillë në kufirin jugor.