Senati i jep dritën jeshile, zyrtarizohet ambasadorja e re e ShBA-së në Shqipëri
Yuri Kim ka marrë përfundimisht dritën jeshile të Senatit Amerikan për të qenë ambasadore e ShBA-së në Shqipëri.
Kim, ishte emëruar nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.
Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.
Gjithashtu premtoi se do të punonte për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson ShBA-të në postin e një ambasadori.
Ajo është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.