Senati i UP-së miraton vendimin për pranimin e studentëve të rinj

09 shtator 2020 | 13:56

Kryesuesi i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Bujar Dugolli, ka bërë me dije se është miratuar konkursi për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021.

Ai ka thënë se për mënyrën e aplikimit, kandidatët për studentë të rinj do të njoftohen me kohë.

“Mënyra e aplikimit koha dhe vendi, të gjitha do të jenë të detajuara në njoftimin që do të postohet në faqen elektronike të fakultetit tonë sapo të miratohet konkursi nga MAShT. Universiteti i Prishtinës dhe studentët e tij, kanë bërë revolucion në shoqërinë tonë duke u bërë gurthemeli i shtetit të Kosovës”, ka shkruar Dugolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Njoftimi i plotë i Dugollit:

Sot, në Senatin e Universitetit të Prishtinës, është miratuar konkursi për pranimin e studentëve të rinj, për vitin akademik 2020/2021.

Maturantët që sapo kanë diplomuar dhe të gjithë të interesuarit e tjerë edhe jashtë Kosovës, kanë këtë mundësi të jashtëzakonshme, që rrugën e tyre drejtë karrierës, ta vazhdojnë në ndonjërin nga trembëdhjetë fakultetet tona, që numërojnë dhjetëra programe e specializime.

Kandidatët për studentë, do të kenë shumë oferta, shumë kolegje e universitete të tjera, por asnjëri nuk mund t’i afrohet cilësisë së universitetit tonë, pavarësisht përpjekjeve të çdollojshme për ta penguar UP-në, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë tij.

Fakulteti Filozofik, në tetë drejtimet e tij të Akredituara (BA: Histori, Filozofi, Sociologji, Psikologji, Shkenca Politike, Puna sociale, Antropologji kulturore dhe Arkeologji), do të pranojë 620 studentë, 180 studentë ne studimet master- MA dhe 5 studentë ne studimet e doktoraturës- PhD, numër ky i miratuar nga Senati i Universitetit, ndërsa mënyra e aplikimit koha dhe vendi, të gjitha do të jenë të detajuara në njoftimin që do të postohet në faqen elektronike të fakultetit tonë sapo të miratohet konkursi nga MAShT.

Universiteti i Prishtinës dhe studentët e tij, kanë bërë revolucion në shoqërinë tonë duke u bërë gurthemeli i shtetit të Kosovës. Universiteti i Prishtinës është krenaria e Kosovës. Suksese!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, bashkë me zëvendësministren…