Senati i UP-së përjashton profesorin Bekim Bejta
Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në këtë universitet.
Lajmin e ka bërë me dije Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë.
“Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, është përjashtuar nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në Universitetin e Prishtinës. Pas reagimit të Këshillit Studentor në Fakultetin e Filologjisë, lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentet, Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet të përjashtohet përfundimisht së shpejti”.
“Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve, që kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhen kërcënuese e deri në kanosje fizike te profesorit Bejta ndaj studenteve dhe personelit, tani kanë rastin e fundit për reflektim. Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garanca më e madhe dhe korrekte. Universiteti nuk është institucion për rehabilitim dhe integrim, e as arenë e sporteve luftarake!”, është thënë në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë.