Senati konfirmon Hegsethin në postin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes
Senati amerikan e ka konfirmuar Pete Hegsethin në postin e sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, pas një votimi të ngushtë natën e së premtes.
Hegseth u konfirmuar në këtë post pasi nënpresidenti amerikan, J.D. Vance, e hodhi votën vendimtare për të kur votimi ishte 50 për dhe 50 kundër tij në Senatin e udhëhequr nga republikanët. Tre republikanë iu bashkuan 47 senatorëve demokratë dhe të pavarur për të votuar kundër tij, raporton Rel.
Hegseth, 44-vjeçar, do ta udhëheqë një organizatë me gati 2.1 milionë gra e burra në uniformë, rreth 780.000 punonjës civilë dhe një buxhet prej 850 miliardë dollarësh.
Si një ish-veteran i luftës dhe dikur prezantues televiziv në Fox News, Hegseth është zotuar se do ta sjellë një “kulturë prej luftëtari” në Pentagon.
Gjatë procesit të nominimit, ai u përball me dyshimet a është mjaftueshëm i kualifikuar dhe me akuza se përdor me tepri pijet alkoolike dhe se ka sjellje agresive ndaj grave, por presidenti Donald Trump i qëndroi përkrah.
Lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se Hegseth, veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan, “do ta sjellë një pikëpamje prej luftëtari” në detyrën më të lartë ushtarake.
“Ditët e shpërqendrimeve ‘woke’ do të marrin fund”, tha Thune, duke iu referuar iniciativave për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje, të cilat Trump i kundërshton.
“Fokusi i Pentagonit do të jetë në luftë”, shtoi ai.
Në deklaratën e tij hapëse para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura më 14 janar, Hegseth tha se programet për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje e politizojnë ushtrinë.