Senati kundër Bidenit, rrëzon detyrimin për vaksinim
Senati i Shteteve të Bashkuara, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Demokratike e Presidentit Joe Biden, të mërkurën miratoi një projektligj të Partisë Republikane në opozitë, që pritet ta kthejë mbrapsht masën e shefit të Shtëpisë së Bardhë për vaksinim ose testim të detyrueshëm për punëtorët e bizneseve private. Dy anëtarë të Partisë Demokratike iu bashkuan opozitës për ta miratuar projektligjin.
Me 52 vota për e 48 kundër, legjislacioni tani do të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku përballet me kundërshtime të ashpra. Presidenti Joe Biden ka kërcënuar se do ta përdorë veton ndaj projektligjit, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Legjislacioni do t’i rrëzonte rregullat administrative, me të cilat bizneset me më shumë se 100 punëtorë duhet të kërkojnë vaksinim ose testim për koronavirus për miliona të punësuar.
Demokratët Joe Manchin nga Virgjinia Perëndimore dhe Jon Tester nga Montana iu bashkuan Partisë Republikane në votim për ta përkrahur legjislacionin. “Gjithmonë e kam përkrahur detyrimin e vaksinimit për punëtorët federalë dhe ushtrinë, sepse mbajtja e shërbimeve esenciale dhe gatishmërisë ushtarake që ofron qeveria federale është çështje e rëndësisë kombëtare”, tha senatori Manchin.
“Megjithatë, nuk përkrah ndonjë detyrim qeveritar për vaksinim për bizneset private. Nuk është vendi i qeverisë federale që t’u tregojë pronarëve të bizneseve private se si t’i mbrojnë punëtorët e tyre nga Covid-19 dhe si t’i operojnë bizneset e tyre”, shtoi ai.
Republikanët kanë thënë se janë “vërshuar” me thirrje nga bizneset me deri në 500 punëtorë se janë të shqetësuara rreth detyrimit të mundshëm për t’i shkarkuar punëtorët që i kundërshtojnë vaksinimin dhe testimin për Covid-19.