Senatorët amerikanë përplasen rreth raportit për gjyqtarin Kavanaugh
Senatorët amerikanë kanë qenë të ndarë për raportin e FBI-së lidhur me pretendimet për sjellje të keqe seksuale kundër të nominuarit në Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh.
Për 100 senatorët ekziston vetëm një kopje e raportit. Demokratët kanë thënë se ai është i pakompletuar derisa republikanët kanë thënë se nuk mbështet akuzat e bëra.
Gjyqtari Kavanaugh ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij.
Votimi përfundimtar për të pritet të kryhet në Senat ditën e shtunë dhe në rast të miratimit, do të rriste dominimin e konservatorëve në gjykatën më të lartë në SHBA.
Nëntë gjyqtarët në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara kanë mandat të përjetshëm dhe kanë ndikim të madh në jetën politike.
Republikanët aktualisht kanë shumicën në Senat dhe dy republikanët që fillimisht kanë shprehur hezitimin e tyre për votim, tani kanë thënë se e konsiderojnë hetimin “të plotë”.
Megjithatë, ata nuk kanë konfirmuar nëse do të votojnë në të mirë të Kavanaugh.
Në raportin e FBI-së janë përmbledhur intervistat e kryera nga FBI-ja. Është raportuar se për këto hetime janë intervistuar nëntë persona, mirëpo jo Kavanaugh dhe akuzuesja kryesore, Christine Blasey Ford.
I dërguar në Senat në letër, hetimi është raportuar se nuk mund të bëhet më shumë kopje dhe është duke u ruajtur në një dhomë të sigurt në ndërtesën e Senatit.
Senatorëve po ashtu u është kërkuar të mos flasin për përmbajtje, mirëpo disa vetëm kanë filluar të përshkruajnë të gjeturat.
Senatori Bob Corker ka thënë se raporti ka 46 faqe.
Ndërkohë demokratët kanë ngritur shqetësime për hetime, duke thënë se janë kryer në një rreth shumë të ngushtë dhe se shumë dëshmitarë nuk janë intervistuar.
Senatorja demokrate, Dianne Feinstein e ka cilësuar hetimin “të paplotë”, duke shtuar se pjesa kryesore e tregimit nuk është në të.
Mirëpo senatori republikan, Jeff Flake nga Arizona si edhe shumë republikanë tjerë kanë thënë se hetimi nuk vërteton pretendimet e bëra kundër Kavanaugh. /REL