Senatorët amerikanë rikonfirmojnë përkushtimin e ShBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor
Bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan, demokratja Jean Shaheen dhe republikani Thom Tillis, kanë shprehur përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe kanë diskutuan mënyrat se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) mund t’i mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Dy senatorët i kanë shprehur qëndrimet e tyre në një njoftim për medie, pas një takimi që zhvilluan në Uashington me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Fillip Ivanoviq, të cilët gjenden atje për Samitin e NATO-s.
Senatorët kanë vlerësuar kontributet e këtyre vendeve në NATO, mbështetjen e vazhdueshme të tyre për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.
“Ne kemi mundësi të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE – gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrinte stabilitet rajonal dhe global”, ka thënë senatorja Shaheen.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës dhe, si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare”, ka thënë senatori Tillis.
Në takim kanë marrë pjesë edhe senatorët republikanë: Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts, raporton “Zëri i Amerikës”.