Senatorët republikanë do ta sfidojnë fitoren e Bidenit
Një grup i senatorëve republikanë, të udhëhequr nga senatori Ted Cruz nga Teksasi thonë se do të sfidojnë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, kur javën e ardhshme rezultati i Kolegjit Zgjedhor pritet të certifikohet në Kongres.
Kjo lëvizje është kryesisht simbolike dhe nuk ka pothuajse shans që ta ndalojë Bidenin që të inaugurohet si president më 20 janar, por megjithatë paraqet një përpjekje të paprecedent për të minuar vullnetin e elektoratit amerikan.
Në një deklaratë të përbashkët më 2 janar, të njëmbëdhjetë republikanët pretenduan se “akuzat për mashtrim dhe parregullsi në zgjedhjet e vitit 2020 tejkalojnë çdo akuzë që është bërë” në zgjedhje ndonjëherë, por ata nuk dhanë asnjë dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar që ta pranojë humbjen në zgjedhje dhe vazhdimisht ka bërë akuza të pabazuara se zgjedhjet u manipuluan dhe është zotuar se do të vazhdojë të luftojë për rezultatin zgjedhor.
Ky grup i senatorëve republikanë tha se kur Kongresi të mblidhet më 6 janar që zyrtarisht ta certifikojë fitoren e Bidenit, ata do të kërkojnë krijimin e një komisioni të posaçëm që do të kryejë “një auditim emergjent dhjetëditor” mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Pothuajse 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve po ashtu pritet të kundërshtojnë rezultatet nëpër shtetet amerikane, gjatë mbledhjes së përbashkët të Kongresit.
Kolegji Zgjedhor amerikan më 14 dhjetor ka konfirmuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidencial të vitit 2020. Biden ka fituar 306 vota elektorale, ndërkaq Trump 232.
Zëdhënësi i Bidenit, Micheal Gwin tha se ky vendim i këtij grupi të senatorëve republikanë është një “teatër politik”.
“Kjo nuk do të ndryshojë faktin se presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë betimin më 20 janar dhe këto pretendime të pabazuara tashmë janë hetuar dhe janë hedhur poshtë nga Prokurori i Përgjithshëm i Trumpit, nga dhjetëra gjykata dhe nga zyrtarët zgjedhorë të të dy partive”, tha ai.
Sipas sistemit amerikan, votuesit votojnë për “zgjedhësit” e tyre, të cilët disa javë pas zgjedhjeve zgjedhin votojnë për presidentin e ardhshëm.
Senatorët republikanë thanë se ata kundërshtojnë disa nga zgjedhësit “e disa shteteve” duke pritur që aty të bëhet auditimi, por nuk treguan se për cilat shtete bëhet fjalë.
Kongresi ka pak gjasa që të pajtohet me ndonjërën prej kërkesave të këtij grupi senatorësh.
“Ne presim që shumica, në mos të gjithë demokratët, dhe ndoshta edhe disa republikanë, të votojnë ndryshe”, thanë senatorët republikanë përmes një deklarate të përbashkët.
Vendimi për të sfiduar rezultatin zgjedhor në Kongres po krijon ndasi në mesin e republikanëve, pasi lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell tashmë i ka bërë thirrje partisë së tij që të mos tentojë ta sfidojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Zgjedhjet e vitit 2020, nga zyrtarët zgjedhorë janë cilësuar si të lira dhe fer.
Më herët gjatë kësaj jave, senatori republikan nga Nebraska, Ben Sasse i bëri thirrje kolegëve të tij që të heqin dorë nga përmbysja e rezultatit zgjedhor, pasi sipas tij, kjo kërcënon normat civile të SHBA-së.
Sipas sistemit amerikan, secili shtet ka numër të barabartë të zgjedhësve sa ka ulëse në Kongres: dy senatorë plus numrin e anëtarëve që një shtet amerikan ka në Dhomën e Përfaqësuesve. Kryeqyteti, Uashingtoni ka tri vota. Rezultatet më pas dërgohen në Uashington dhe paraqiten gjatë një seance të përbashkët të Kongresit. /REL/