Senatori amerikan Ben Cardin: E kemi lënë Ballkanin në duar të Rusisë
Senatori demokrat i Shteteve të Bashkuara, Ben Cardin, deklaroi se rajoni i Ballkanit duhet të marrë hapa për t’u mbrojtur nga ndikimi rus.
Ai bëri thirrje për hetime transparente të vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Thekson po ashtu nevojën që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Cardin, menjëherë pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, gazeta britanike Observer ka publikuar një tekst analitik të ekspertit të sigurisë, John Schindler, ku thuhet se rajoni i Evropës juglindore tani është vend më i rrezikshëm se në vitin 2003, kur është vrarë kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Po ashtu thuhet se ndikimi rus, kohën e fundit, është rritur jashtëzakonisht, sidomos në Serbi dhe Bosnje, dhe se mbështetja ruse për serbët e Kosovës nuk është sekret. Cili është vlerësimi i Shteteve të Bashkuara: A mund të çojë vrasja e Ivanoviqit në Kremlin?
Ben Cardin: Së pari shpreh ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Ka qenë një ngjarje vërtet tragjike, e cila duhet të hetohet në mënyrë rrënjësore dhe transparente. Megjithatë, edhe pse ka qenë ngjarje e tmerrshme, Beogradi dhe Prishtina duhet të mbeten të përkushtuar plotësisht ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Duam të mbetemi të përqendruar në qëndrueshmërinë e rajonit, të arrijmë përparim, pavarësisht kësaj ngjarjeje tragjike.
Radio Evropa e Lirë: Analiza që ka publikuar Observer thotë se, marrë parasysh ndikimin malinj rus në rajon, sidomos kur përfshin vrasje, edhe Ballkani, edhe Evropa duhet të brengosen, sepse ka mundësi që ekzistojnë lidhje që çojnë në Kremlin, kur bëhet fjalë për atentatin ndaj Ivanoviqit. Analiza po ashtu thekson se pengimi i Serbisë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO është qëllimi kryesor i politikës së jashtme ruse në Ballkan. A pajtoheni me këtë konstatim?
Ben Cardin: Sigurisht se pajtohem me konstatimin se qëllim i zotit Vladimir Putin (presidentit rus) është të mbajë rajonin nën kontroll, të përzihet në politikat e vendeve të rajonit, t’i dëmtojë këto marrëdhënie dhe t’i përkeqësojë ato. Taktikat që përdor ai dhe për të cilat njihet, mund të përfshijnë edhe teknika të ngjashme që i zbaton Rusia në aktivitetet e saj të planifikuara. Nuk kemi informacione konkrete ose tregues për vrasjen e Ivanoviqit, andaj bëjmë thirrje për transparencë të plotë në hetimin e këtij atentati. Por, nuk ka dyshim se rajoni duhet të ndërmarrë hapa për t’u mbrojtur nga ndikimi rus.
Radio Evropa e Lirë: Secila shpresë për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës ka vdekur bashkë me Ivanoviqin, thuhet po ashtu në analizën që ka publikuar Observer. A pajtoheni me këtë vlerësim?
Ben Cardin: Ne nuk duam ta pranojmë një konstatim të tillë, sepse një gjë e tillë do të thoshte fitore për ata që përdorin terrorin për të arritur qëllimet e tyre. Ajo çfarë ne duam, është pikërisht e kundërta: ne jemi të vendosur për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se dialogu midis dy palëve do të vazhdojë shpejt? A është duke bërë SHBA-ja diçka në këtë drejtim?
Ben Cardin: Siç thuhet edhe në raportin (e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan), që kam publikuar javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aktive në rajon. Nëse kjo nuk ekziston, do të vazhdojmë të shohim ndikimin e Rusisë përmes aktiviteteve të saj në Serbi. Andaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që udhëheqja serbe, që elita qeverisëse në Kosovë t’iu mbeten të përkushtuara interesave të tyre kombëtarë dhe shtetërorë dhe të mos ndikohen nga lojtarë të jashtëm. Mendoj se Perëndimi, Shtetet e Bashkuara mund t’i ndihmojnë në realizimin e kësaj.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Cardin, ju së bashku me kolegët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, në raportin e publikuar një javë më parë, keni kërkuar nga SHBA-ja të forcojë angazhimin në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të rritjes së ndikimit rus në rajon. Por, a mendoni se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i interesuar për këtë rajon?
Ben Cardin: Ajo që mund të themi është se nuk kemi parë shpesh vizita të presidentëve amerikanë në atë rajon. Në raportin tim thuhet se Rusia është e angazhuar në rajon. Një pjesë e kësaj mund të shpjegohet me faktin se ekzistojnë disa aleanca natyrore, simpati ndaj Rusisë dhe lidhje të fuqishme etnike të vendeve të caktuara të rajonit me Rusinë. Siç e dimë, edhe ortodoksizmi luan rol të madh në afërsinë me Rusinë. Pra, ne i njohim këto “lidhje të natyrshme” që mund t’i shfrytëzojë zoti Putin. Mirëpo, e kemi të rëndësishme që qytetarët e Serbisë të udhëheqin me vendin e tyre dhe të marrin vendime të pavarura, pa ndërhyrje të huaj. Serbia e ka bërë të qartë që e do integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Putin kërkon që ky proces i euro-integrimit të Serbisë të ngadalësohet. Deri në një masë, edhe ka qenë i suksesshëm në ngadalësimin e rrugës së Serbisë kah BE-ja. Prandaj, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera t’i ndihmojnë Serbisë ta drejtojë të ardhmen e saj.
Radio Evropa e Lirë: Në raportin tuaj thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së paku 12 herë është takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, qysh në vitin 2012, ndërsa presidenti i fundit amerikan që ka vizituar Beogradin ka qenë Jimmy Carter, më 1980…
Ben Cardin: Po, mendoj se kjo politikë është e gabuar. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të pranishme “fizikisht” në Serbi dhe atë në nivelin më të lartë. Ajo është një vend shumë i rëndësishëm në rajon; marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe Serbisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, andaj bëj thirrje për vizita të nivelit të lartë. E di se delegacione të Kongresit kanë qenë në vizitë në Serbi; edhe përmes Komitetit të Helsinkut kemi pasur aktivitete me Serbinë dhe rajonin dhe për këtë mendoj se Shtëpia e Bardhë duhet të tregojë më shumë interesim për Serbinë, pikërisht përmes vizitave të nivelit më të lartë.
Radio Evropa e Lirë: Në raportin tuaj thuhet se Rusia, duke u përzier në politikat e brendshme të vendeve të tjera, përdor mjete të ndryshme…
Ben Cardin: Në këtë raport thuhet se zoti Putin është aktiv në 19 vende. Në secilin prej këtyre vendeve ka plan të njëjtë politik, por përdor mjete të ndryshme. Disa prej këtyre vendeve kanë ndërmarrë hapa dramatikë për të minimizuar ndikimin e Rusisë dhe kjo ka rezultuar me sukses. Por, ne duhet të arrijmë përparim edhe në vendet dhe rajonet e tjera.