Senatori amerikan zbulon detaje nga biseda me Vuçiqin për sanksionimin e Rusisë
Senatori amerikan, Chris Murphy, pas vizitave diplomatike në vende të botës, e ka zakon t’i përshkruajë prapaskenat e udhëtimit dhe takimet që ka pasur me zyrtarë shtetërorë.
Njëjtë ka vepruar me turin që ka pasur në Ballkanin Perëndimor konkretisht takimin që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe një afat kohor prej 60-ditësh që Vuçiqi ia ka dhënë senatorit për ta thirrur pastaj.
Murphy ka përshkruar Vuçiqin si mik që shpesh kanë ngrënë drekë kur presidenti serb ka vizituar Uashingtonin. Për shkak të shoqërisë mes tyre, senatori demokrat ka thënë se gjatë takimit në Beograd, Vuçiqi e ka ndërprerë atë dy minuta pasi ka filluar të flasë duke i thënë t’i ndalë formalitetet pasi e njohin njëri-tjetrin shumë mirë.
“Chris, Chris, Chris, ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ndaloje këtë formalitet. Çfarë dëshiron të dish? Do të të tregoj”, i ka thënë Vuçiqi senatorit në takim.
Pas kësaj, senatori Murphy e ka pyetur Vuçiqin se a do t’i vendosë sanksione ndaj Rusisë apo do të vazhdojë të luajë me dy karta.
“Në rregull, Aleksandër, duam të dimë, a do të qëndroni me shtetet demokratike dhe të sanksiononi atë apo do të vazhdoni të luani me dy anët”, i ka thënë Murphy.
Ai ka thënë se pyetja e ka thelluar bisedën që ka zgjatur një orë mes tyre mbi historinë e Serbisë me Rusinë dhe shprehjen e famshme se Serbia ulët në dy karrige edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Evropian.
Pas bisedës, Vuçiqi i ka thënë senatorit demokrat që ta thërrasë pas 60 ditëve dhe ta shohë se a e ka bërë atë që i ka thënë.
“Më thirr pas 60 ditëve. Shiko pastaj se a e kam bërë atë që po ta them se do ta bëj”, ka thënë Vuçiqi në fund të takimit me senatorët.