Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t’i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

18 nëntor 2024 | 20:48

Senatori amerikan Richard Blumenthal i ka dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Ai ka theksuar rrezikun që Serbia i ka paraqitur Kosovës ndër vite, duke përmendur sulmin e ndodhur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Në letrën e tij, Blumenthal ka rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë më 1999, duke theksuar se ambiciet ekspansioniste të Serbisë nuk janë shuar asnjëherë.

Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për mundësinë që administrata e re e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të mos angazhohet mjaftueshëm për paqen mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh qasjen e mëparshme të Trump ndaj Rusisë.

“Duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur Trump ndaj Rusisë, kam frikë se administrata e re do të bëjë shumë pak për të inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës,” ka shkruar senatori nga Connecticut.

Blumenthal i ka bërë thirrje Blinkenit që gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit në SHBA të ketë një fokus të veçantë ndaj Kosovës.

Ai ka kërkuar përdorimin e të gjitha instrumenteve që SHBA-ja ka në dispozicion për të siguruar që Serbia të mbetet larg dhe e paaftë për të shkelur territorin e Kosovës.

“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet e kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimin e Kosovës në OKB,” ka përfunduar Blumenthal.

Letra vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, duke përforcuar angazhimin e SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës sonte përballet me Lituaninë në “Fadil Vokrri”…