Senatori Johnson: SHBA-ja përkrah të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon

09 shtator 2018 | 20:32

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur senatorin amerikan Ron Johnson, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në mes të vendeve të rajonit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Duke e falënderuar senatorin Johnson, kreu i shtetit theksoi se po punon për arritjen e një marrëveshjeje që do të ketë efekte pozitive për rajonin.

“Marrëveshja do të jetë e vështirë të arrihet”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se nëse arrihet, ajo do të jetë plotësisht në përputhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE-në, si dhe do të jetë marrëveshje e zbatueshme.

Në anën tjetër, senatori Johnson u shpreh i kënaqur me zhvillimet në rajon. “Shtetet e Bashkuara përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon”, u shpreh senatori Johnson.

Thaçi shtoi se është me rëndësi që të gjithë liderët e rajonit po angazhohen të marrin vendime që janë në të mirë të shteteve të tyre, edhe nëse këto nuk janë vendime popullore.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Thaçi u shpreh se po “eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje” dhe shtoi se marrëveshja do të jetë në “të mirë të vendit, të rajonit dhe në pajtim me SHBA-në dhe BE-në. Në interes të vendeve tona dhe të investimeve perëndimore në rajon”. “Në fund, do të jenë qytetarët ata që do ta thonë fjalën e fundit për marrëveshjen”, përfundoi Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se…