Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë ShBA – Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan
Senatori amerikan nga Michigani, Gary Peters, ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.
Peters në X shkruan se një marrëdhënie e fortë ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.
“Më vjen mirë që u takova me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Një marrëdhënie e fortë midis dy kombeve tona është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, shkruan ai.
Disa javë më parë bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e ShBA-së, senatorja Joni Ernst (republikane nga Iowa) dhe senatori Gary Peters (demokrat nga Michigan), i kanë drejtuar letër sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, edhe për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje.