Separatistët në Ukrainë mbajnë zgjedhje
Separatistë e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës po mbajnë zgjedhje, të cilat po konsiderohen nga Kievi dhe Perëndimi si “të paligjshme”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë theksuar se zgjedhjet e sotme të mbajtura në zonat e kontrolluara nga separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut do të pengojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit që ka vrarë më shumë se 10 300 persona, që prej prillit të vitit 2014. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka thënë se zgjedhjet “paraqesin edhe një shembull tjetër të aktivitetit subversiv rus”, raporton “Rel”.
Moska ka mohuar se zgjedhjet paraqesin shkelje të marrëveshjeve të Minskut, që kanë për qëllim dhënien fund të dhunës.
Kreu i rajonit të Donetskut, Denis Pushilin, 37-vjeç, pritet që të fitojë në zgjedhjet atje. Ndërkaq, në Luhansk, kreu aktual i këtij rajoni, Leonid Pasechnik, po ashtu pritet të fitojë.
Që të dy, si Pushilin dhe Pasechnik kanë premtuar se do të kërkojnë lidhje më të ngushta me Moskën.