Serbët e Kosovës, në hall nga urdhrat e Beogradit
Serbët në veri të Kosovës tregojnë se Beogradi i detyron punonjësit e administratës paralele të mbikëqyrin barrikadat bazuar në një sistem turnesh. Po ashtu ata tregojnë për njerëz të maskuar që patrullojnë në veri.
Prindërve të 25-vjeçarit serb nga Kosova, Aleksandër, në fshatin Zupç në veri të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës, u duhet të qëndrojnë prej 19 ditësh pranë barrikadave.
Zyrtarisht ata punojnë në institucionet e administratës publike, në shkolla dhe institucione mjekësore të paguara nga Serbia.
Aktiviteti i mbikëqyrjes së barrikadave nga serbët lokalë rregullohet me plan turni si puna normale.
“Është një cikël. Një grup vjen, grupi tjetër shkon. Babai im qëndron katër deri gjashtë orë në barrikadë në Zupç, ndërsa nëna qëndron në barrikadë gjashtë deri në tetë orë”, thotë Aleksandri.
“Një gjë të tillë ata e bënë edhe vitin e kaluar apo dhe në vitin 2008. Kjo është bërë normale për ne”, thotë ai për DW.
I njëjti sistem duket se përdoret në të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.
Edhe banorët e komunës së Leposaviqit janë të detyruar të mbikëqyrin barrikadat, tregon Stefani nga Leposaviqi.
“Njerëzit janë disi të detyruar të shkojnë në barrikada atje dhe ka edhe njerëz që mbajnë shënime nëse ata janë atje apo jo”, thotë Stefani.
“Ka ndërrime. Gratë shkojnë gjatë ditës dhe burrat shkojnë gjatë natës. Njerëzit madje edhe janë kërcënuar se do të humbasin punën e tyre nëse nuk shkojnë atje.”
Barrikadat po shtohen. Të tilla janë ngritur së fundi edhe në qytetin e Mitrovicës tek Ura e Ibrit dhe në afërsi të Shkollës së Mesme Teknike. Por shumë serbë të Kosovës nuk e kuptojnë qëllimin e barrikadave.
“Nuk e di pse bëhet e gjitha kjo me barrikadat. Cila është arsyeja kryesore? 90% e njerëzve këtu bëjnë të njëjtën pyetje”, thotë Stefani.
Gjendja e krizës përkeqësohet edhe më shumë nga vendimi i bankave serbe Postanska dhe Komercijalna, që vazhdojnë të ekzistojnë në veri të Kosovës, për të kufizuar tërheqjen e parave deri në 5000 dinarë (rreth 50 euro).
Njerëz të maskuar patrullojnë në veri
Pasi rreth 500 policë serbë të Kosovës e lanë shërbimin e tyre, në veri të Kosovës pothuajse nuk ka asnjë forcë policore kosovare. 135 policët e mbetur të EULEX-it nuk mundën, sipas deklaratave të tyre, ta plotësonin këtë boshllëk.
Tani burra me rroba civile kontrollojnë rrugët. Kohët e fundit nga persona të maskuar janë sulmuar gazetarë kosovarë, një patrullë e policisë ndërkombëtare të EULEX-it është goditur me flakë dhe po ashtu dhe janë sulmuar edhe ndërtesat publike. Prishtina i cilëson ato si grupe kriminale, ndërkohë që për serbët e Kosovës, ata përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë.
“Ata na monitorojnë. Pra, nëse themi diçka që nuk duhet thënë, ne mund të vuajmë pasojat. Asnjëherë nuk e dimë drejtpërdrejt nga kush, por ndihemi të kërcënuar”, thotë serbi i Kosovës Aleksandër, nga fshati Zupç, në veri të Kosovës.
“Makinat tona mund të digjen, mund të na godasin dhe nuk do ta zbulojmë kurrë nga kush”.
Kjo formë agresioni u vu re gjithnjë e më shumë gjatë debateve për targat e vjetra serbe “Kosovka Mitrovica – KM”. Serbët e Kosovës që plotësuan kërkesën e Prishtinës dhe i ndërruan targat e veturave të tyre shpeshherë të nesërmen në mëngjes i gjetën të djegura veturat e tyre.
Autorët nuk ka qenë e mundur të identifikohen as deri sot.
“Unë jam shumë i frikësuar nga këto grupe kriminale në veri. Nuk e di kush janë, por ne i shohim. Prandaj dua të largohem”, thotë Stefani.