Serbët e mbledhur në Mitrovicën e Veriut i quajnë tradhtarë Vuçiqin dhe Listën Serbe
Qytetarë serbë të mbledhur pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut e kanë quajtur tradhtar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Listën Serbe.
Siç ka raportuar “Kossev”, disa qytetarë qëndrojnë para hyrjes së një ndërtese – në të cilën sipas njoftimeve jozyrtare, qëndron kryesia e Listës Serbe dhe presin përfaqësuesit e kësaj partie, duke kërkuar që t’u drejtohen.
Në hyrje të kësaj ndërtesë ka persona që duken si roje sigurie, të cilët pretendojnë se drejtuesit e kësaj partie nuk janë aty.
Protesta në Zveçan është intensifikuar pas arrestimit nga Policia e Kosovës të Milun Milenkovic – Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale.
Për këtë bandë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndër vite ka terrorizuar qytetarët, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe tre nga ta janë të lënduar lehtë.