
Serbët e nisur këmbë nga Kosova për në Serbi, kapen duke hipur në autobus
Aktivistët e grupit “Uzinat” kanë siguruar disa pamje të cilat ia kanë dërguar redaksisë “N1” në Beograd.
Në atë videoklip, siç kanë thënë ata, shfaqen pjesëmarrësit e të ashtuquajturit “marshit nga Kosova dhe Metohija”, të cilët po shkonin për në mitingun e Alleksandar Vuçiqit në Beograd, duke u ngarkuar në autobusë jo shumë larg qendrës së qytetit Gornji Milanovac, ka raportuar “N1”.
Sipas dëshmisë së qytetarëve, të mërkurën rreth orës 15:30 një kolonë këmbësorësh është larguar nga parkingu te vendi i quajtur “Shtëpia Norvegjeze”. Gjatë shëtitjes kanë bërë pushim në fabrikën “Spektar”, ndërsa në fshatin Majdan kanë mbërritur rreth orës 18:30, përballë tavernës “Shofer”.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, në orën 18:40, shfaqen dy autobusë dhe pak më pas vijnë edhe dy të tjerë, në të cilët hipin të gjithë “këmbësorët”. Sipas dëshmitarëve, asnjëri nga ta nuk ka mbetur, përveç disa personave që ndodheshin në dy makina.
Distanca mes “Shtëpisë Norvegjeze” në Gornji Milanovac dhe tavernës “Shofer” në fshatin Majdan është afërsisht 10 kilometra.