Serbët i thanë ta identifikonte trupin e Adem Jasharit: Kur e kam pa trupin e komandantit, iu kam thënë ‘badihava më shtini se s’e njoh’
Rexhep Gara e kishte parë trupin e pajetë të komandatit Adem Jashari pas sulmit të marsit të vitit 1998 në kullën e Jasharëve në Prekaz. Ai kishte qenë në morgun e Prishtinës kur serbët i kishin thënë ta identifikonte Adem Jasharin.
Gara tha në Frontal në T7 se kur e kishte parë trupin e tij, nuk kishte treguar se kishte qenë i Adem Jasharit.
“Ishin të interesuar. Kur e kam pa komandantin, e kam rrotullu – e kam njoftë, e kam taku dy herë. . Kur e kam rrotullu trupin e komandantit ata e kanë vërejtë që ishte ai”, tregon Gara.
Ai tha se deri kur e pa, nuk kishte besuar “që mundet komandanti me qenë aty”.
“Komandanti e ka pasë një plumb në gjoks. Plagë tjetër s’i kam pa”, tha ai.
Gara që punonte në Institutin e Patologjisë në shkurt të vitit 1998 kur forcat serbe masakruan 24 civilë të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.
Ai ishte angazhuar personalisht që nga Prishtina t’i kthente kufomat në fshat ku do të varroseshin. Gara ka rrëfyer vështirësitë e transportimit të kufomave, të cilën e kishte marrë përsipër ta bënte vetë.
Gara tha se e kishte angazhuar një taksist me kampion për t’i bartur kufomat dhe tregoi se kur shkoi në morgun e Prishtinës për t’iu thënë se do t’i merrte kufomat.
“Polici tha mirë që po i merr se e kemi pasë ndërmend me i heq se kanë me na ardhë tjerat. E dinin se do të ketë kufoma tjera”, tregon ai.
“I kam qitë në kamion… vullnetarisht me i çu kufomat në Likoshan”.
“Ka qenë një pompë. Na ka ndalë Policia. Kam dalë unë, s’e kam lënë shoferin. Më ka pyet çka janë. I thashë kufoma. ‘Ku po i çoni?’ Në Likoshan”, tregon Gara.
“E veten edhe shoferin a s’i ke llogaritë? Kështu më tha polici”, tregoi ai.
Ai tha se ka dashur ta bëjë identifikimin e kufomave, ndërsa tregoi se gjendja e trupave ishte e tmerrshme.
“Kam pa të djegur, ka pasur kufomë me njolla që e kanë mbyrë ndër ujë”, tha ai.