Serbët në Kosovë votojnë për zgjedhjet në Serbi
Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të dielën do të “grumbullohen votat” për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Me kërkesë të Beogradit dhe me miratimin e autoriteteve të Kosovës, misioni në Kosovë, i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të bëjë grumbullimin e votave.
Praktikë e njëjtë e votimit ishte aplikuar edhe në të kaluarën.
Sipas OSBE-së, 20 qendra “grumbulluese” do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 20:00.
Deri në orën 10:00, OSBE-ja ka njoftuar se ka grumbulluar 10,047 vota në Kosovë.
Votat më pas ky misioni do t’i transportojnë në Rashkë dhe Vrajë të Serbisë, ku dhe do të bëhet numërimi i tyre.
Këtë formë të votimit dhe transportimit të votave, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka cilësuar si jokushtetuese.
Votimi në Kosovë për zgjedhjet në Serbi, po mbahet në kohën kur autoritetet shëndetësore po regjistrojnë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Mbi 450 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Kosovë gjatë katër ditëve të fundit, ndërkaq numri i përgjithshëm i infektimeve ka arritur në 2,073.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, dy komuna në Kosovë kanë mbetur pa kryetarë, për shkak se mbajta e zgjedhjeve nuk është vlerësuar e sigurt. Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se ka lejuar që të mbahen votimet për zgjedhjet serbe, sipas praktikave të mëhershme.
Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është kundërshtuar nga Lëvizja opozitare Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar si “cenim të integritetit dhe sovranitetit shtetëror”.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, çdo grumbullim i personave në një distancë prej dy metrash, paraqet kërcënim për shëndetin publik.
Por, OSBE-ja ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka ndërmarrë të gjitha masat që të ofrohet siguria si për stafin ashtu edhe votuesit, gjatë këtij procesi. Në hyrje të qendrave të vendvotimeve, po shpërndahen maska mbrojtëse për votuesit.