Serbët në veri të Kosovës caktojnë protestë: ‘Jemi peng i politikës së Vuçiqit’
Në ditën e tretë të Krishtlindjes, pra më 9 janar, në pjesën veriore të Mitrovicës, është caktuar protesta e serbëve të pakënaqur me politikën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Organizatori i kësaj proteste, Ivan Miletiq, i ka thënë gazetës “Danas” se serbët nga Kosova janë “peng” të Vuçiqit.
Protesta është caktuar për në ora 12:00 te monumenti i Car Llazarit në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës.
I pyetur se kush është organizatori i protestës, Miletiq është përgjigjur: “populli i pakënaqur nga veriu i Kosovës”.
Ai ka thënë se qytetarët e panë me heqjen e barrikadave se në cilin drejtim po shkon situata dhe se janë pajtuar që nuk do të pranojnë “as lojërat e Kurtit e as të Vuçiqit”.
Ai ka theksuar se nuk u janë bashkuar organizatat formale dhe se nuk e dinë se sa njerëz do të vijnë duke pasur parasysh, siç ka thënë ai, frikën që ekziston te qytetarët.
Nebojsha Joviq, komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, i ka ftuar qytetarët në të njëjtën protestë në kanalin “YouTube”: “SRBIN.info”.