Serbët nga Veriu besonin se do të kthehej ushtria serbe në Kosovë

10 tetor 2023 | 17:46

Redaktorja e portalit në gjuhën serbe KoSSev, Tatjana Lazareviç, ka deklaruar se serbët nga veriu i Kosovës kanë besuar se këtë vit “ushtria serbe do të kthehet në Kosovë” dhe se sipas saj, ky është produkt i lajmeve të rreme që u janë servuar atyre.

Ajo shpjegon se ky besim ka ardhur nga vendimi i autoriteteve serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës.

“Kishte një narracion se ushtria serbe do të kthehej dhe se lajmet e rreme u ushqyen me shumë kujdes paralelisht me intensifikimin e krizës në Veri. Në Veri serbët janë një komunitet i vogël”, tha ajo gjatë një interviste për rrjetin ballkanik të lajmeve N1.

Lazareviç vlerëson se qytetarët serbë janë të zhgënjyer, por shumë prej tyre ende nuk duan ta përmendin publikisht emrin e kriminelit Milan Radojeçiç, sepse ende besojnë që ai “do luftojë për interesat kombëtare serbe”.

Megjithatë, ajo thekson se pavarësisht sulmit terrorist të 24 shtatorit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk e ka humbur ndikimin e tij te serbët në Kosovë.

“Serbët gjithmonë kanë përsëritur besnikërinë e tyre ndaj Beogradit. Sa më shumë humbte Serbia në Kosovë, aq më besnikë ishin qytetarët ndaj Serbisë”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…