Serbët protestojnë kundër dëmtimit të një faltoreje në Zubin Potok
Disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuan të premten para një stacioni policor në Zubin Potok në veri të Kosovës kundër, siç kanë thënë ata, “shkatërrimit” të një faltoreje në një fshat të kësaj komune të banuar me shumicë serbe.
Protestuesit kanë thënë se “ekziston dyshimi i bazuar” se objekti fetar në fshatin Çeçanoviq është dëmtuar nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por nuk kanë dhënë ndonjë provë për këtë.
Bojan Stevanoviq, nga fshati Babudovicë në komunën e Zubin Potokut, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë (REL)” se ata nuk e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur, por se “dëgjuam të shtëna dhe më pas e pamë policë me motoçikleta”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë “REL”-it se policia ka nisur një hetim për këtë rast bazuar në raportet e mediave, dhe se dëshmitarët janë marrë në pyetje. Ai shtoi se në këtë rast është informuar edhe Inspektorati i Policisë.
“Diçka e tillë është e papranueshme, kushdo që ta ketë bërë. Megjithatë, fillimisht duhet gjetur se kush është autori”, ka thënë Elshani.
Një banor tjetër, Radule Stevanoviq, ka shpjeguar se faltoren e kishin ndërtuar banorët lokalë dhe ikonat në të janë vendosur para më shumë se 40 vjetëve.
“Ne mblidheshim aty për festën e Trinisë së Shenjtë”, ka thënë ai dhe ka përsëritur dyshimin se ikonat janë dëmtuar nga policët.
Për të vërtetuar dyshimet e tij, Stevanoviq ka thënë se banorët, pasi kanë dëgjuar të shtënat, gjetën vetëm policët pranë faltores së dëmtuar.
“Qytetarët janë të pakënaqur me sjelljen e policisë”, ka thënë i ai.
Më parë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë kishte shprehur “shqetësimin dhe keqardhjen e thellë për dëmtimin rishtazi të një faltoreje historike”.
“Shkatërrimi i këtij vendi dërgon një mesazh të hapur armiqësie, duke konfirmuar ndjenjën se populli ynë, i cili ka jetuar me shekuj në ‘Kosovë dhe Metohi’, nuk është i mirëpritur”, ishte thënë në deklaratë.
Dioqeza i kishte bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë në mënyrë që “të ndalen incidente të ngjashme dhe presioni sistematik mbi serbët”.