Serbët shënojnë Vidovdanin, Vulinit nuk i lejohet hyrja në Kosovë
Serbët e Kosovës shënojnë sot Vidovdanin, apo Ditën e Shën Vidit. Në Manastirin e Graçanicës është mbajtur liturgjia e shenjtë, ndërsa në orën 13:00 do të nisë manifestimi në Gazimestan, i cili do të përcillet me një ritual tjetër fetar ortodoks serb.
Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka hartuar një plan operativ dhe se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ndërsa, Qeveria e Kosovës, ka theksuar se nuk i ka dhënë leje të hyjë në Kosovë ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili ka paralajmëruar pjesëmarrjen në manifestimin në Gazimestan.
E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se ky është një “veprim skandaloz” i Qeverisë së Kosovës.
“Është e qartë që një vendim i tillë është sjellë në koordinim midis Prishtinës dhe Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, me qëllim që ta poshtërojnë Serbinë”, është thënë në komunikatën e kësaj zyre.
Shënimi i Ditës së Shën Vidit lidhet me përvjetorin e 629-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së forcave ballkanike nga forcat e Perandorisë Osmane, si dhe vrasjes së princit serb Llazar.