Serbët thonë se do të jenë më të dëmtuarit nga korrigjimi eventual i kufirit

05 shkurt 2019 | 13:54

Në rast të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve më së shumti do të humbin serbët që jetojnë në jug të Kosovës.

Kështu është thënë në një debat publik në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ku është diskutuar mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Analisti Belul Beqaj është shprehur se pa u zbatuar marrëveshjet e para të dialogut teknik, nuk mund të ketë marrëveshje të dytë.

Sipas tij, arsye që marrëveshja finale është shumë e vështirë janë deklaratat e presidentit serb, ku thotë se në çfarëdo marrëveshje duhet të pyetet populli.

Beqaj ka thënë se marrëveshjet e supozuara ndërmjet dy shteteve janë shumë larg vullnetit politik të qytetarëve të dy shteteve. Ai konsideron se hapja e korrigjimit të kufirit ka zhvlerësuar gjitha përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve paraprake.

“Politika e korrigjimit të kufirit është e atyre që kanë dështuar brenda kufirit”, ka thënë Beqaj.

Nga organizata joqeveritare “Aktiv” në këtë debat ka folur Miodrag Miliçeviq, i cili ka thënë se edhe pse disa prej marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht, ato kanë kontribuar që të zbuten tensionet mes qytetarëve serbe dhe shqiptarë dhe të ketë lëvizje më të lehta të njerëzve dhe qytetarëve.

Ai ka pasur disa kërkesa që duhet të implementohen nga marrëveshja e parë ndërmjet dy shteteve.

“Çështja e parë që është dashur të implementohet ka qenë themelimi i bashkësisë së komunave serbe, pasi kjo nuk është zbatuar. Çështja tjetër ka të bëjë me marrëveshjen e telekomunikacionit dhe lirinë e lëvizjes”, u është shprehur Miliçeviqi.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se në këto kushte mund të ketë një marrëveshje të dytë, por duhet të dihet se në çfarë parime duhet të realizohet.

Miliçeviqi ka folur edhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territorit, ku ka thënë se nëse do të ketë ndarje, serbët që jetojnë në jug nuk do të jenë në një pozitë të lakmueshme.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë se fillimisht duhet të përcaktohen disa parime se në çfarë niveli duhet të realizohet dialogu dhe të arrihet marrëveshja.

Sipas tij, marrëveshja për të qenë valide duhet të pranohet në bazë të kushtetutshmërisë dhe të jetë ekuivalente në të dy shtetet, pasi nuk mund të imponohet asnjë çështje.

Në anën tjetër, gazetari serb, Zhivojin Rakoçeviq, ka thënë se fillimisht duhet të shihet gjendja reale e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve serbë dhe shqiptarë që jetojnë në Kosovë.

Sipas tij, nuk mund të arrihet marrëveshja finale kur problemet jetësore të qytetarëve janë të pranishme në çdo qytet ku jetojnë serbët.

Ai ka thënë se mundësia e ndarjes për serbët jashtë veriut të Kosovës është zgjidhja më e keqe e mundshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi gjetën avionin e zhdukur dhe një nga dy trupat…